Mbi 1 mijë hektarë tokë e pyje, janë djegur si pasojë e 202 zjarreve të rëna në qarkun e Fierit gjatë muajve që lamë pas. Prefekti, Lefter Shehaj, tha se dëmet më të mëdha kanë qenë në masivin pyjor të parkut të mbrojtur të Pishporos, ku zjarri vazhdoi për gati 10 ditë .
“Sivjet zjarret kanë përshkuar një sipërfaqe rreth 1056 hektarë. Sipërfaqja me e ndjeshme e përshkuar nga zjarri ka qene sipërfaqja ne masivin pyjor peizazh të mbrojtur, Pishporo që arrin rreth 700 hektarë”, tha ai.
Zjarret e shumta, nuk kanë prekur vetëm shkurre e barishte, por edhe tokat bujqësore e sipërfaqe të konsiderueshme me ullishte. Në një intervistë për Report Tv, Shehaj tha se rreth 13 mijë rrënjë ullinj janë djegur nga flakët e zjarrit.
“Ka pasur dëme në ullishte, janë përshkuar nga zjarri rreth 12848 rrënjë ullinj. Ky është vlerësimi paraprak, pasi përfundimtari do bëhet në muajt Mars – Prill”, shton Shehaj.
Në 4 raste, është dashur edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter, ndërsa janë angazhuar edhe rreth 500 forca te armatosura, 300 efektivë policie si dhe 1000 vullnetarë të ndryshëm.