MENU
klinika

Visar Zhiti

71 vjetori i lindjes së poetit

02.12.2023 - 19:06

Shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi Visar Zhiti feston sot 71-vjetorin e lindjes. Shkrimtari lindi në Durrës, 2 dhjetor 1952.

Në rininë e tij u përndoq nga regjimit komunist. Ai ka mbajtur detyrat më të larta në institucionet shqiptare si deputet, ministër dhe diplomat i shtetit shqiptar.

Në vitin 1973, ai shkroi përmbledhje me poezi, Rapsodia e jetës së trëndafilave. Ishte koha e Plenumit të 4-t të KQ të Partisë së Punës, në të cilin Enver Hoxha filloi një fushatë të egër kundër të rinjve që tërhiqeshin nga kultura perëndimore.

Poeti i ri u bë një nga viktimat politike të diktaturës. Dorëshkrimi i përmbledhjes, dorëzuar për botim në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist.

Ai u arrestua më datë 8 nëntor 1979. U dënua në një gjyq farsë në prill të vitit 1980 me trembëdhjetë vjet burg. Nga burgu i Tiranës transferohet në burgun e Qafë Barit dhe në vijim në burgun famëkeq të Spaçit, i njohur për kushtet e këqija, keqtrajtimet dhe torturat që pësonin të burgosurit.

Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe nisi punën në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste karriera e tij si shkrimtar, publicist, diplomat pati vetëm arritje.

Visar Zhiti përfaqëson figurën e njeriut të bukur dhe të qëndrestarit, që nuk e theu regjimi me trajtimin mizor në burg e jashtë tij.