MENU
klinika

Ja çfarë parashikohet

A do të kërkojë gjykata shoqërim me forcë të Shkëlzen Berishës? Nëse refuzon sërish, hyn në lojë neni 164

14.12.2023 - 19:05

Kodi i Procedurës Penale në nenin 164 e ka të specifikuar si veprohet kur një dëshmitar shmang thirrjen e gjykatës.

Familja Berisha duket se është e gjitha në hall me drejtësinë. Ish-kryeministri tentoi disa herë t’i shmanget SPAK, por në fund duket se nuk i bëri mirë llogaritë, pasi rrezikon të përfundojë në “arrest shtëpie”. Dhëndri i tij është po ashtu në “arrest shtëpie” dhe SPAK e ka ankimuar vendimin për të duke kërkuar në Gjykatën e Lartë arrestim.

Por duket se në telashe tani është dhe Shkëlzen Berisha, i cili sot tentoi të ndjekë rrugën e të atit për t’i shpëtuar drejtësisë. Shkëlzeni u thirr për të dëshmuar në gjyqin e Fatmir Mediut për Gërdecin, por ai veproi si Berisha, duke mos pranuar kërkesën dhe sot në gjykatë u tha se nuk i gjendet adresa. Këtë metodë ndoqi dhe Berisha por nuk ja doli. Por në këtë rast Shkëlzeni është thirru si dëshmitar dhe jo si i pandehur.

Kodi i Procedurës Penale në nenin 164 e ka të specifikuar si veprohet kur një dëshmitar shmang thirrjen e gjykatës. Ai mund të dënohet me gjobë dhe nëse refuzon, atëherë mund të kërkohet shoqërimi i tij me forcë. Tani GJKKO është në test. Mbetet të shihet nëse do kërkojë nga policia të gjendet djali i ish-kryeministrit dhe të shkojë në gjykatë, apo do veprohet njësoj si me të atin.

“Kur dëshmitari, i thirrur rregullisht, nuk paraqitet në vendin, ditën dhe orën e caktuar, pa pasur pengesa të ligjshme, gjykata mund të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm ose të vendosë gjobë deri në masën 30 000 lekë”, thuhet në nenin 164.

Ashtu si Berisha, edhe Shkëlzeni në një reagim deklaroi se nuk ka pasur asnjë ftesë për tu paraqitur si dëshmitar as në adresën e tij fizike dhe as elektronike. Ndërsa thotë se është gati të paraqitet sipas ligjit me të marrë ftesën

“Në lidhje me disa raportime mediatike për “mos paraqitjen” time si dëshmitar në gjykatë, më duhet të sqaroj se në asnjë adresë timen fizike apo elektronike nuk ka mbërritur asnjë ftesë për t’u paraqitur për të dëshmuar! Pretendimet e SPAK, që janë qartaz në funksion të qëllimeve politike e mediatike të Edi Ramës, bien poshtë, si nga njoftimet e mëparshme që janë ekzekutuar me sukses, ashtu dhe nga fakti që personalisht në dëshminë e dhënë para SPAK kam depozituar adresën e SAKTE si dhe nr e telefonit! Mbetem i hapur për t’u paraqitur konform ligjit me të marrë ftesën”, tha ai.