MENU
klinika

Deeuroizimi, beteja e humbur

A është adoptimi i Euros një alternativë?

17.12.2023 - 15:18

Banka e Shqipërisë ka nisur që prej vitit 2018 një strategji për uljen e euroizimit të sektorit financiar dhe ekonomisë, por rezultatet deri tani janë të pakta dhe Euro vazhdon të ketë përdorim shumë të lartë në ekonominë tonë. Ndërsa valutizimi nuk është një fenomen i pazakontë për ekonomitë e vogla dhe të hapura, si Shqipëria, ai shtron disa rreziqe që duhen menaxhuar, sidomos në kushtet e një luhatshmërie në rritje të kursit të këmbimit.

Që nga fillimi i vitit 2002, kur Euro u hodh në qarkullim si monedhë fizike, monedha e përbashkët u vendos në ekonominë shqiptare me një prani imponuese.

Ekonomia shqiptare ishte gjithsesi e valutizuar në një shkallë të konsiderueshme dhe Euro vetëm sa zëvendësoi Markën, Liretën, Dhrahminë, si edhe zhvendosi Dollarin Amerikan.

Faktorët e valutizimit të ekonomisë shqiptare ishin të shumtë dhe në shumicën e tyre, të qartë. Ekonomia shqiptare kaloi një tranzicion të vështirë nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut.

Pas ndryshimit të sistemeve, monedha kombëtare pësoi një zhvlerësim të shpejtë, duke fshirë vlerën e kursimeve të mbledhura. Skemat piramidale dhe trazirat e vitit 1997 dhanë një tjetër goditje të rëndë për themelet e ekonomisë, duke cenuar edhe besimin e publikut në monedhën vendase.

Nga ana tjetër, Eurozona ka qenë dhe mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë. Vendet që përdorin këtë monedhë janë burimi kryesor i dërgesave të emigrantëve që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë.

Zona Euro është origjina e shumicës së investitorëve të huaj strategjikë në Shqipëri. Më specifikisht, shumë prej aktorëve të rëndësishëm të sistemit financiar të vendit erdhën nga Eurozona, duke e bërë më të lehtë aksesin në linjat e financimit në monedhën europiane.

Euro erdhi me autoritetin e monedhës së zonës më të fuqishme ekonomike dhe politike në Europë, një ndër më të rëndësishmet në botë.

Aksesi i lartë tek Euro dhe besimi edhe më i lartë i publikut në monedhën europiane bëri atë që Euro të ishte një monedhë paralele në ekonominë shqiptare.

Çmimet e pasurive të paluajtshme dhe të shumicës së aseteve afatgjata, në shumicën dërrmuese, janë të kuotuara në euro. Nëse euroizimi i lartë i ekonomisë shqiptare është, në një masë të madhe, i kuptueshëm, në shumë aspekte ai nuk është pa rreziqe.

Problemet kryesore që shtron euroizimi i lartë janë ekspozimi ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit, në rastet kur të ardhurat dhe shpenzimet e subjektit janë në monedha të ndryshme. Gjithashtu, euroizimi i lartë i ekonomisë ul efektshmërinë e politikës monetare dhe mund të vështirësojë shënjestrimin e stabilitetit të çmimeve.

Sa e euroizuar është ekonomia shqiptare?
Shkalla e euroizimit të ekonomisë shqiptare është e vështirë të matet me saktësi, për sa kohë nuk dihet sa është e gjithë sasia e valutës së huaj që qarkullon në ekonomi. Megjithatë, shkalla e lartë e përdorimit të euros mund të konstatohet edhe nga treguesit e disponueshëm statistikorë.

Në fund të muajit shtator të këtij viti, pesha e depozitave bankare në valutë kundrejt parasë së gjerë (agregatit monetar M3) ishte 44%. Mbi këtë bazë, mund të thuhet se të paktën 44% e parasë në ekonominë shqiptare është në valutë të huaj dhe kryesisht në euro.

Megjithatë, duhet konsideruar se pesha e depozitave në valutë ndaj agregatit M3 në vitet e fundit është ndikuar negativisht nga efekti i kursit të këmbimit. Vetëm në harkun e një viti, kursi i këmbimit Euro-Lek është zhvlerësuar me 13%, duke arritur madje nivele të rënies vjetore deri në 14%, në korrik të këtij viti.

Në pesë vitet e fundit, kursi Euro-Lek ka rënë me 16%, ndërsa në dekadën e fundit, rënia e kursit ka arritur në pothuajse 25%.

Nëse e korrigjojmë vlerën e depozitave në valutë nga zhvlerësimi me 25% për shkak të kursit të këmbimi, atëherë ajo do të përbënte rreth 55% të parasë së gjerë.

Duke pasur parasysh nivelin e konsiderueshëm të informalitetit në ekonominë shqiptare, është e arsyeshme të besohet se një vlerë e lartë e euros qarkullon edhe jashtë sektorit bankar. Për këtë arsye, mund të pranohet se shkalla reale e euroizimit është më e lartë se ajo që tregojnë shifrat e disponueshme.

Banka e Shqipërisë, e vetme në “betejë”
Në vitin 2017, Banka e Shqipërisë nënshkroi një memorandum me Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, me qëllim zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare.

Kjo ishte përpjekja e parë konkrete për të marrë disa masa që tentojnë të ulin euroizimin e ekonomisë. Por, deri tani, vetëm Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë masa rregullatore konkrete, që tentojnë të rrisin përdorimin e monedhës vendase në sektorin bankar.

Këto masa tentojnë të rrisin kostot e ndërmjetësimit financiar në valutë dhe paralelisht t’i ulin ato për Lekun. Masat kryesore ishin rritja e nivelit të rezervës së detyruar për valutat dhe ulja e këtij niveli për Lekun.

Për administrimin më të kujdesshëm të rrezikut të likuiditetit, Banka e Shqipërisë vendosi gjithashtu të rrisë kërkesën minimale rregullative për aktivet likuide në valutë në nivelin 20% të detyrimeve afatshkurtra. Për aktivet likuide në Lekë, raporti u ruajt në nivelin prej 15%.

Një masë tjetër që Banka e Shqipërisë po e aplikon, megjithëse nuk është zyrtarisht pjesë e platformës së deeuroizimit, është aplikimi i normave të diferencuara për remunerimin e rezervës së detyruar të bankave.

Për rezervën e detyruar në lekë, Banka e Shqipërisë u paguan bankave një normë remunerimi (shpërblimi) të barabartë me normën bazë të interesit (aktualisht 3.25%). Për rezervën e detyruar në Euro, aplikohet një normë remunerimi me tavan të sipërm zero, megjithëse norma referuese e Bankës Qendrore Europiane (deposit facility) ka arritur në 4%.

Për monitorimin e efekteve të këtyre masave, Banka e Shqipërisë kryen analiza periodike 6-mujore. Sipas analizës më të fundit, gjysma e parë e vitit 2023 solli përmirësim në disa prej treguesve të strategjisë së deeuroizimit të Bankës së Shqipërisë.

Në përgjithësi, po vërehet një rritje e lehtë e kreditimit në monedhën vendase, e favorizuar sidomos nga normat më të ulëta të interesit. Për herë të parë këtë vit, normat e interesit për kreditë në lekë zbritën në nivele më të ulëta se ato në euro.

Kjo ka bërë që më shumë huamarrës, sidomos në segmentin e individëve, ta marrin huanë në monedhën vendase. Madje, një pjesë e huamarrësve kanë konvertuar në lekë kreditë që kishin në valutë të huaj. Përveçse nga normat më të ulëta të interesit, kjo tendencë është nxitur edhe nga zhvlerësimi i Euros në kursin e këmbimit me Lekun.

Vlera e treguesit të kredive në valutë ndaj totalit zbriti në 50.3% në fund të qershorit 2023, me një rënie prej 3.3 pikë në harkun e katër viteve të fundit.

Nga ana tjetër, teprica e kredive në valutë të pambrojtura nga kursi i këmbimit (ku kreditë në euro zënë rreth 90%), ka shënuar rënie të mëtejshme të peshës ndaj totalit të kredive në valutë. Në fund të qershorit 2023, këto kredi shënuan 32.3% të kredive në valutë, ose 16.2% të totalit të kredisë.

Kreditë e ekspozuara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, domethënë rastet kur të ardhurat e subjektit huamarrës janë në monedhë të ndryshme nga monedha e dhënies së kredisë, janë ato me profilin më të lartë të rrezikut. Për këtë arsye, ky tregues mbart një rëndësi të veçantë në monitorimin e masave të deeuroizimit.

Megjithatë, euroizimi i sektorit bankar paraqitet në rritje për sa u takon depozitave.

Në fund të gjashtëmujorit të parë 2023, treguesi që mat peshën e depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave, shënoi nivelin 54.6%. Niveli i raportit është në rritje me 3 pikë përqindje në katër vitet e fundit. Shpërndarja, sipas bankave, vijon të paraqitet relativisht simetrike dhe pesha e depozitave në valutë luhatet nga nivelet 48.6% deri në 61.6%.

Rezulton se 10 nga 11 bankat që operojnë në sistemin bankar regjistrojnë një vlerë të këtij treguesi mbi 50%, e cila potencialisht i bën ato subjekt të normës së rezervës së detyrueshme prej 20%.

Banka e Shqipërisë vëren se ndryshimet strukturore në ekonomi gjatë viteve të fundit, ku veçohet rritja e fortë e turizmit dhe zhvillimet inflacioniste, janë shoqëruar me ndryshime të politikave ekonomike dhe monetare, si dhe të sjelljes së agjentëve të ekonomisë reale. Për këto arsye, është rritur vështirësia për dallimin e efekteve që lidhen ngushtë me masat e deeuroizimit.

Sektori bankar, pothuajse 53% e aktiveve janë në valutë
Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve në valutë të sektorit bankar në fund të tremujorit të tretë 2023 arriti vlerën e barasvlershme të 1.011 trilionë lekëve, në rritje me më shumë se 50 miliardë lekë krahasuar me tremujorin e dytë të vitit.

Vlera e aktiveve në valutë ka arritur një rekord të ri historik, duke kaluar lehtë vlerën që ishte shënuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Aktivet në valutë përbëjnë 52.65% të totalit të aktiveve të sektorit bankar, në rritje nga niveli prej 51.5% i tremujorit të dytë, por në rënie krahasuar me nivelin prej 53.1% që regjistrohej në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithatë, vlera dhe pesha specifike e aktiveve në valutë janë ndikuar ndjeshëm nga zhvlerësimi i Euros në kursin e këmbimit me Lekun.

Duke llogaritur që kursi i Euros shënonte një zhvlerësim vjetor prej afërsisht 9% në fund të tremujorit të tretë, vlera e aktiveve në valutë ka pësuar rënie të ndjeshme si rezultat i efektit të kursit të këmbimit.

Në mungesë të efektit statistikor të kursit të këmbimit, vlera dhe pesha e aktiveve në valutë të sektorit bankar do të ishin në nivele ndjeshëm më të larta.

Rritja e nivelit të euroizimit të aktiveve ngelet e lidhur ngushtë me rritjen e vazhdueshme detyrimeve, kryesisht të depozitave në valutë të huaj. Detyrimet në valutë shënuan gjithashtu një vlerë rekord në fund të tremujorit të tretë, në vlerën ekuivalente të 989 miliardë lekëve, me rritje vjetore me afërsisht 2%.

Po ta zhvishnim nga efekti negativ i kursit të këmbimit, detyrimet në valutë të huaj do të ishin në rritje me afërsisht 11% krahasuar me vitin e kaluar.

Depozitat në valutë dhe veçanërisht në euro edhe këtë vit po shënojnë ritme shumë të shpejta të rritjes. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të tetorit, depozitat bankare në euro rezultonin në rritje vjetore me 17%, duke dhënë kontributin kryesor në rritjen e depozitave bankare.

Rritja e depozitave në valutë të huaj në thelb orienton edhe tendencat e përgjithshme të valutizimit të aktiveve. Bankat kanë kufizime rregullatore për pozicionet e hapura në valutë, që përfaqësojnë diferencën mes aktiveve dhe pasiveve në një valutë të caktuar.

Kjo do të thotë se, nëse detyrimet dhe kryesisht depozitat në euro rriten, edhe aktivet do të kenë një tendencë për t’u rritur në të njëjtën valutë.

Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, shprehet për “Monitor” se çdo përpjekje për të ulur euroizimin e ekonomisë duhet të jetë e bashkërenduar mes të gjitha institucioneve të përfshira.

Në të kundërt, një strategji e tillë ka pak gjasa që të jetë e efektshme dhe krijon kosto për segmente të veçanta të ekonomisë.

“Deeeuroizimi do të funksionojë në momentin që i japim fuqi monedhës kombëtare. Nëse nuk njohim Lekun në të gjitha transaksionet dhe kontratat që bëhen brenda vendit, nuk do të arrijmë rezultate domethënëse.

Sot kudo që shkon mund të paguash me çfarëdo monedhe që ke në xhep. Mendoj se, nëse ka një vullnet për të ulur euroizimin e ekonomisë, kjo duhet bërë nga të gjitha institucionet e përfshira.

Përndryshe, më duket se nuk ka kuptim që kjo strategji të vazhdohet vetëm nga Banka e Shqipërisë, duke krijuar kosto për segmente të veçanta të ekonomisë, siç janë bankat. Fakti që depozitat janë të vendosura më shumë në Euro, se në Lekë është problem i nivelit makro dhe mendoj se lidhet me përdorimin e madh të Euros si mjet pagese”, – thotë z.Brumbulli.

Qeveria, indiferente për euroizimin
Megjithëse në vitin 2017, memorandumi i deeuroizimit u nënshkrua edhe nga Ministria e Financave dhe nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, këto institucione nuk kanë ndërmarrë masa konkrete për të mbështetur rritjen e përdorimit të monedhës vendase në ekonomi.

Angazhimi konkret i Ministrisë së Financave në këtë strategji lidhet me realizimin e politikave që synojnë ruajtjen dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së borxhit publik; rritjen e preferencës për monedhën vendase gjatë huamarrjes nëpërmjet emetimit të titujve të borxhit; krijimin e një strukture sa më të plotë të maturimit të titujve të borxhit në lek; zhvillimin e mëtejshëm të tregut primar dhe sekondar të titujve të borxhit në lek; përdorimin e instrumenteve të politikës fiskale dhe përmirësime ligjore që ndihmojnë për të nxitur formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe rritjen e preferencës së agjentëve ekonomikë për përdorimin e monedhës vendase në transaksionet financiare dhe ato të kursimit, etj.

Megjithatë, një nga indikatorët më të drejtpërdrejtë, huamarrja e qeverisë në valutë të huaj në vitet e fundit është rritur ndjeshëm. Në fund të 9-mujorit 2023, portofoli i borxhit në valutë arriti në pothuajse 662 miliardë lekë, në rritje me 28% në harkun e pesë viteve të fundit.

E matur si peshë specifike, borxhi në valutë përbën 47.5% të borxhit publik dhe kjo peshë ka ngelur pothuajse e pandryshuar në pesë vitet e fundit. Por, kjo i detyrohet vetëm forcimit të Lekut në kursin e këmbimit dhe veçanërisht ndaj Euros. Krahasuar me pesë vite më parë, kursi i këmbimit Euro-Lek ka rënë me afërsisht 16%.

Qeveria ka konsoliduar gjithnjë e më shumë praktikën e huamarrjes në tregjet ndërkombëtare, nëpërmjet emetimit të Eurobondeve. Në pesë vitet e fundit, janë kryer katër emetime të reja të Eurobondeve, për një vlerë të përgjithshme prej 2.4 miliardë eurosh.

Euroizimi ka nivele të konsiderueshme edhe në tregjet e mbikëqyrura nga AMF.

Sipas statistikave zyrtare, për gjysmën e parë të këtij viti afërsisht 34% e primeve të shkruara bruto në sigurime ishin të llogaritur në valutë të huaj, kryesisht në Euro. Afërsisht 60.3% e obligacioneve me ofertë private janë të emetuara në valutë të huaj. Në pjesën dërrmuese, obligacionet me ofertë private në valutë janë të emetuara në Euro, me rreth 56% të totalit, ndërsa ato në Dollarë Amerikanë përbëjnë rreth 4%.

Megjithatë, edhe në analizën e fundit të, AMF vlerësonte se niveli aktual i përdorimit të valutës së huaj në tregjet e mbikëqyrura është në nivele përgjithësisht të ulta dhe i diktuar nga profili i veprimtarisë së institucioneve të mbikëqyrura. Për këtë arsye, deri tani AMF nuk e ka vlerësuar të nevojshme marrjen e masave për uljen e Euroizimit në këto tregje.

A është adoptimi i Euros një alternativë?
Gjatë dekadave të fundit kur euroizimi i lartë i ekonomisë ka qenë objekt diskutimesh, një pjesë e ekspertëve ka qenë i mendimit se Shqipëria nuk duhet ta “luftojë” euron, por ta “përqafojë” atë. Kjo do të nënkuptonte një euroizim të njëanshëm të ekonomisë, në modelin e ndjekur nga vendeve fqinje

Në një prononcim për “Monitor”, Banka e Shqipërisë shprehet se një euroizim i njëanshëm i ekonomisë në kushtet e sotme nuk është i mundur.

“Adoptimi i njëanshëm i Euros i monedhë zyrtare është një opsion i pamundur për vendet të cilat janë jashtë Bashkimit Europian.

Si Komisioni Europian dhe Banka Qendrore Europiane e kanë bërë të qartë këtë pozicion, duke theksuar se adoptimi i kësaj forme të regjimit monetar nga Kosova dhe Mali i Zi u aprovua prej tyre si një zgjidhje përjashtimore dhe e motivuar – më së pari – nga konsiderata të natyrës politike në momentin e pavarësisë së tyre”, shprehet Banka e Shqipërisë.

Ekonomisti Selami Xhepa mendon se Shqipëria duhet të kishte ndjekur me kohë shembullin e Kosovës dhe të Malit të Zi, duke adoptuar Euron si monedhë kombëtare. Por, sipas tij, ky është një moment i tejkaluar dhe euroizimi i njëanshëm në kushtet e sotme do të ishte shumë i vështirë.

“Mendoj se Shqipëria mund të kishte zgjedhur me kohë edhe një Euroizim të njëanshëm, siç bëri Mali i Zi dhe Kosova. Por, në periudhën e daljes së monedhës së përbashkët kishte pasiguri të mëdha lidhur me sasinë e valutave europiane që qarkullonin në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, ndaj vetë Banka Qendrore Europiane dekurajoi një euroizim të njëanshëm.

Edhe sot mund të bëhet edhe në mënyrë të njëanshme, por është një lëvizje që sjell ndryshim rrënjësor, ndaj mendoj se është e vështirë që të realizohet në kushtet e sotme.

Në këtë kontekst, ky mund të quhet një moment historik i tejkaluar, por unë mendoj se aktualisht menaxhimi kursit të këmbimit duhet të merret përsipër nga vetë operatorët privatë”, – thotë z. Xhepa.

Si mund të “luftohet” euroizimi?
Fenomeni i euroizimit / dollarizimit është një çështje që ka qenë shpesh objekt studimesh dhe analizash nga institucionet e specializuara ekonomike dhe financiare.

Studimet kanë identifikuar një numër faktorësh që çojnë në përdorimin e gjerë të një monedhe të dytë në ekonomi, monedhë që zakonisht është një nga valutat e forta botërore, kryesisht Euro apo Dollari amerikan.

Në faktorët e krahut të kërkesës, përvoja ka treguar se më i rëndësishmi ka qenë mungesa e stabilitetit makroekonomik dhe inflacioni i lartë. Në vendet e kërcënuara nga hiperinflacioni, agjentët ekonomikë priren të gjejnë strehë te një monedhë e fortë, për të mbrojtur vlerën e aseteve të tyre financiare.

Ky fenomen është vërejtur sidomos në vendet e Amerikës Latine dhe ka sjellë nivele të larta dollarizimi në disa prej tyre.

Presionet inflacioniste, veç të tjerash, sjellin edhe diferenca në normat e interesit, duke bërë që këto norma në monedhën vendase të jenë shumë të larta se për Euron apo për Dollarin. Diferenca në normat e interesit ka ndikuar ndjeshëm në peshën e lartë të kreditimit në valutë në rajonin tonë.

Në krahun e ofertës, pikërisht lidhjet e forta me ekonominë e Eurozonës sjellin premisa shtesë euroizimi. Oferta e lartë e bankave për të kredituar në Euro është një faktor që ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e euroizimit në shumë vende të Europës Qendrore dhe Lindore.

Shqipëria kaloi një periudha të fortë inflacioniste në vitet 1991 dhe 1997, që zhvlerësuan Lekun dhe ulën vlerën e kursimeve në monedhën vendase. Megjithatë, duke filluar nga vitet 2000, në përgjithësi inflacioni është mbajtur nën kontroll me sukses dhe stabiliteti makroekonomik i vendit ka ardhur duke u përmirësuar. Por, kjo nuk ka ndikuar në uljen e euroizimit të ekonomisë.

Praktika botërore ka dhënë shembuj të suksesshëm të përpjekjeve për uljen e dollarizimit në ekonomi. Shembuj të tillë janë Izraeli, Polonia apo Peruja. Strategjia kundër dollarizimit në këto vende ka ndërthurur ndërhyrje në politikat fiskale, ato monetare dhe prudenciale, por edhe në zhvillimin e tregjeve të kapitalit në monedhën vendase.

Politikat fiskale janë shtrirë kryesisht në uljen e deficitit buxhetor dhe displinimin e rreptë të shpenzimeve, ashtu si edhe në rritjen e huamarrjes publike në monedhën vendase. Politikat monetare kanë targetuar inflacionin, duke u përpjekur paralelisht të zbusin luhatjet e forta në kursin e këmbimit valutor, përmes ndërhyrjeve të Bankës Qendrore.

Masa të tilla, si kërkesat më të larta për kapital për kreditimin në valutë të huaj, diferencat në normat e remunerimit të rezervave apo kërkesat më të larta të likuiditetit në valutë janë praktika të ndjekura në shumicën e reasteve, të cilat janë adoptuar edhe nga Banka e Shqipërisë.

Në disa raste, si Izraeli, ka pasur edhe shtrëngime më drastike, si për shembull ndalimi i hapjes së depozitave me afat të shkurtër maturimi në dollarë.

Në rastin e Perusë, ligji për mbrojtjen e konsumatorëve i detyronte tregtarët t’i kuotonin dhe afishonin çmimet vetëm në monedhën vendase, për t’i prerë rrugë përdorimit spekulativ të dollarit në transaksionet e brendshme tregtare.

Sipas një studimi për Bankën Qendrore Europiane, të përgatitur nga eksperti i Bundesbank, Ulrich Windischbauer në vitin 2016, faktori më përcaktues në uljen e dollarizimit/euroizimit të ekonomisë është stabiliteti makroekonomik dhe ngritja e institucioneve të besueshme, ku një rol thelbësor ka pavarësia e Bankës Qendrore dhe aftësia e saj për të mbajtur nën kontroll inflacionin dhe pritshmëritë rreth tij në të ardhmen.

Politikat për uljen e inflacionit dhe mbiçmimin e monedhës vendase në kursin e këmbimit valutor gjithashtu mund të jenë të efektshme për të rritur atraktivitetin e monedhës vendase për publikun.

Sipas studimit, vendet me një regjim të fiksuar të kursit të këmbimit valutor kanë pasur rezultate më të mira në përpjekjet për ddollarizim/euroizim, kryesisht për shkak të efektit psikologjik te publiku se monedha vendase është e mbrojtur nga luhatjet e forta të tregut.

Transfertat kombëtare në Euro u rritën me 66% për 10-mujorin

Transfertat kombëtare në Euro janë rritur ndjeshëm gjatë këtij viti. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, deri për 10 muajt e parë të vitit, në sistemin kombëtar të pagesave në Euro, AIPS Euro, janë kryer më shumë se 200 mijë transferta në monedhën europiane.

Transfertat në Euro janë rritur me 66% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në vlerë, transfertat për 10-mujorin arritën në pothuajse 3.3 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 23%.

Rritja e numrit dhe vlerës së transfertave kombëtare bankare në euro mund të jetë tregues i rritjes së mëtejshme të përdorimit të valutës në transaksionet e brendshme ekonomike në Shqipëri.

Rritja e flukseve hyrëse në Bilancin e Pagesave ka sjellë më shumë Euro në ekonominë dhe sistemin financiar shqiptar. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregtuan se deri në fund të muajit shtator, depozitat bankare në Euro ishin në rritje me 16.5% krahasuar me një vit më parë.

Sistemi i pagesave AIPS Euro filloi funksionimin në janar të vitit 2022, me qëllim uljen e kostove të transfertave bankare në monedhën europiane. Para ngritjes së këtij sistemi, transfertat kombëtare në Euro mund të bëheshin vetëm nëpërmjet përdorimit të llogarive që bankat shqiptare kanë në banka korrespondente jashtë vendit.

Kjo rrugë krijonte vonesa në kohë dhe, mbi të gjitha, kosto shumë më të larta krahasuar me transfertat në Lekë. Komisionet e larta bënin që shumë shpesh klientët e sektorit bankar t’i zhvendosnin fondet nga njëra bankë te tjetra nëpërmjet tërheqjeve dhe derdhjeve cash në arkë.

Me ngritjen e sistemit AIPS Euro, Banka e Shqipërisë përcaktoi edhe vlera tavan që bankat tregtare për komisionet që ato mund t’iu ngarkojnë klientëve të tyre.

Për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS Euro, me vlerë më të vogël ose të barabartë me 10 mijë euro, totali i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë nuk duhet të jenë më e lartë se 0.2% e vlerës së transferuar dhe komisioni dysheme nuk mund të jetë më i lartë se 6 euro.

Për pagesat që janë të iniciuara në formë elektronike, totali i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë nuk duhet të jetë më i lartë se 50% e totalit të komisioneve të aplikuara për çdo pagesë të iniciuar në formë jo elektronike.

Kjo do të thotë zbatimin e totalit të komisioneve dysheme 3 euro, totalit të komisioneve jo më të lartë se 0.1% e vlerës së transferuar për vlerë më të vogël ose të barabartë me 10 mijë euro.

Në total, për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS Euro, totali i komisioneve maksimum të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë, nuk duhet të jetë më i lartë se 50 euro, pavarësisht nga shuma.

Për transfertat e kryera përmes këtij sistemi nuk aplikohen komisione për fondet në mbërritje.

Veç uljes së kostove, ky projekt vlerësohet të ketë sjellë efekte pozitive edhe nga pikëpamja e administrimit të parasë fizike në Euro nga ana e bankave dhe promovimit të pagesave elektronike edhe në këtë segment të tregut, duke nxitur qytetarët shqiptarë drejt përdorimit të këtyre instrumenteve.Monitori

Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!