MENU
klinika

Analiza satirike e Gjekmarkajt

Muli vërtitej si titan nëpër sallë, zjarri e ndiqte nga pas!

04.12.2023 - 22:58

Kronikë e shkurtër për thagma që të këpusin shpirtin.

Pjesa e parë: Durimi i zotit Bernard soset

Të gjithë e mbani mend atë përzhitje madhështore që mbështolli Bernard Banushin kur Terminatori, daci i tij që mos i qoftë i rëndë dheu na la. Dhimbja po kalon caqe e kufij si dikur vrapi i zorzopi sokaqeve e rrëpirave ku lezeti çilte filiz

Në të errur, sikur gjithësa të mos mjaftonte, Bernardit i vjen një telefonatë nga spitali i zonjes Edhit. Ata i kerkonin as më pak e as më shumë por plot 300 mijë lek për ditet kur ai ashik lebetitej mes jetes dhe shuarjes me hallatet në satër.

Aty Banushi , nuk mbajti, mori zjarr si rrëshira e pishës. Ai e kapërceu melankolinë, vetëpërmbajtjenmadje edhe admirimin për kolegen ideologe, për mendimet e holla e plot thagem të vetë zonjes Ed’hit mbi PD-në e vërtetë, qendrestaret, demokracinë, vatanin e Boten.

Siç di ai sokelliu. E kroi zërin dhe telit të tefonit prej ndezullisë i ra lëkura si gjarprit në pranverë.

Për nur të Allahut mos e thoni më atë fjalë , se ja çuat rininë dëm atij çarçifi u hakerry, më thyet zemren që ju bëfsha gjëmen. Do vij aty si dimri në kasollen pa derë e dritare nëse kjo zile bie prapë e lek më kerkoni kur unë ende vajtoj Terminatornë e gjorë.

Pjesa e dytë ! Kryezevendes Lideri ja bën fora !

Me keto lajme në krye mbërrita në sallën e Kuvendit. Luftëtaret e lirisë e kishin vënë dushmanin nën panik. Kudo ai ishte nën tërheqje. Niko Nikoqiri kishte braktisur istikamin. Pa një pa dy ishte rrasur në mes të Tezes së murosur si Rozafati dhe Ogertes së dëlirë e cila me një shami të qëndisur i fshinte çurgun herë pas here. Ulsiu foli me heshtje.

Kryezevendes Lideri Muli i frymëzuar nga Kongresi i dates 2 Dhjetor vërtitej si titan neper salle teksa zjarri e ndiqte nga pas. Dorën ja hijeshonte një flakadan.

Muli para nesh shfaqej si statuja e lirisë. Dora gjakatare e Lindites e shndërroi përsëri në dëshmor. Kosta shkruante epitafet nga llozha si mehmur i palodhur i Tabirr Sarajt.

Pader Salianji i cili ka hyrë në një fazë të epërme purifikimi ekleziastik u gëzua kur më në fund gjet mes nesh Agallinë të cilit ju lut përunjësisht të ndizte një qiri edhe per shpirtin politik të Lulit.

Diku dëgjohej zëri i gëzuar i Doktorit që i kujtonte Petro debatikasit , vazhdo ti vazhdo se do të qethim përsëri si dikur. Pashë nga Petro zefiri , ç’ti qethesh pakogjë i ka mbetur rreth veshit pos vrerit për ballistet. Inati i vjen nga lufta klasore se ata hanin pula dhe ai kothere e shellirë. Albana dhe Lideri në perspektivë Gazi ruanin krahët njëri-tjatrit, tashmë si veteran nder beteja.

Po të vinë nga para i thoshte Albana , shiko anash e kujdesonte ai. Aty ke një kaçile me bumje e lajmeronte ajo, mos ndalo zjarrin e keshillonte ai. Ah sikur ti shihte Jorushi i gjorë do ti bëhej mal ajo zëmer e butë mbushur me miresi e travajë. Sajme Korreshi i binte borisë si borizani në Tenden e Qypit. Ismet Beqiri foli siç i ka hije, si të ishte Babo në sallë, të na rrojnë djemtë tha e armiqtë me kokë poshtë dhe brram nga xhepi nxorri një faqore dhe lagu gurmazin. Dash Sula hakerrehej “jeten e japim demokracinë kurrë”. Sa hije i kishte ai slogan.

Tao i cili prej kohesh kërkon një fitore në sallë ikën gjithnjë e më i zhgënjyer nga gardistet e tij të trembur nga Elda Hoti. Të enjten tjetër të marrin kufje se po i fryu Mondi bilbilit i shurdhon per jetë e mot. I ha dreqi, mbeten batall për jetë e mot. Nuk do të kenë mundësi pastaj të shijojnë fjalimet e Tonit dhe të Pranverës.

Laerti ndien mall për ditët e bekuara kur koleget socialist i mbushnin plot me lot gëzimi domixhanet e kujtesës nga sukseset e Babos, tani të gjithë janë ngurtësuar, kanë shterur si gjashtë milion lopët e Aniles në prag dimri. Ndihej si i pushuar nga puna.

Arben Pellumbi fshihej gjithë kohës pas kokës si barrikadë të Nasipit e cila mbulonte mungesën e papërballueshme të Etildes. Majko i butë pi dy nëna. Ai qe më me fat nga të gjithë. Që të mos e ngante njeri u shoqërua nga Elisa kuq e zi për një copë rrugë të gjatë si i vetmi segment lirik i një dite zjarri. Në bese të saj nuk e prekem. Qerratai

Ermua dukej e gëzuar pas depozitimit të projektligjit kundër komisioneve hetimore. Në mëngjes kishte ngrënë një tas me përshesh të ngrohtë, madje kësaj here nuk kishte thyer as pasqyrën, në dalje. Sherri i jepte forcë si toka Anteut. Klotilda fërkonte duart si kasapi në thertore sa vetave do ju ndalonte rrogën. Çyrbja uroi Doktorin për rikonfirmimin e vështire teksa si mëz lozonjar fluturoi për kah dalja.

Në oborr u hap lajmi se në daten 8 dhjetor në Kongres Babo virani do të promovojë një “homo sovieticus” duke shkaktuar sakelldi të madhe tek të vetët. Ferdinand Xhaferri si Pilati mes Gaz Bardhit e Mulit perpiqej të ndante kush është Krishti e kush Baraba. E sigurova që Doktor Tritani nuk është Juda.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN