MENU
klinika

Me kallashnikov dhe pushkë në makinë

Arrestohen dy vëllezër në hyrje të Rrugës së Kombit

21.12.2023 - 13:24

Policia ka arrestuar dy vëllezër në hyrje të Rrugës së Kombit, pasi u është gjetur një armë zjarri kallashnikov, e cila ishte e mbushur me fishekë gati për qitje dhe një pushkë.

Sipas policisë, dyshohet se Besnik dhe Prengë Gjoka do të kryenin një ngjarje kriminale kundër personit.

“Në Rrëshen, në kuadër të operacionit “Repsi”, bazuar në informacionet e siguruara se 2 shtetas qarkullonin me armë dhe dyshohet se do të kryenin një ngjarje kriminale kundër personit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë dhe kanë kapur në flagrancë, në hyrje të Rrugës së Kombit, shtetasit B. Gj. dhe P. Gj. Gjatë kontrollit fizik, këtyre shtetasve iu gjetën 1 armë zjarri kallashnikov me fishekë në fole gati për qitje dhe 1 armë zjarri pushkë”, njofton policia.

Gjithashtu në Rrëshen, në kuadër të operacionit “Fani”, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetas që posedonte një armë zjarri kallashnikov, mund të kryente një ngjarje kriminale kundër personit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë dhe kanë ndaluar shtetasin Nikollë Karaqi, si dhe kanë sekuestruar armën e zjarrit kallashnikov që ai posedonte, bashkë me 11 krehra dhe municion luftarak.

Ndërsa në Kurbin, policia bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se shtetasi T. Gj. mbante armë zjarri në banesë, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e tij, ku kanë gjetur 1 armë zjarri pushkë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.