MENU
klinika

Spektakël dhe tension

Barazim me gola në derbin Tirana-Partizani

03.12.2023 - 22:51

Tirana dhe Partizani barazuan 1-1 në derbin e kryeqytetit (Air Albania), takim ky i vlefshëm për kampionatin. Një sfidë plot emocione dhe tension, por në fund nuk pati fitues. Ndeshja ka nisur rreth 10 minuta me vonesë si pasojë e hedhjes së tymuese në fushë, pasi arbitri kryesor ka pritur deri sa pamja të qartësohet. Tirana u duk më e rrezikshme në fillim dhe kishte më shumë iniciativë. Dhe ngulmimi u shpërblye në minutën e 28-të kur Florent Hasani shkarkon të majtën e tij brenda zonës dhe 1-0.

Bardheblutë në festë bashkë me tifozët. Goli i nëntë për sulmuesin e Tiranës, që barazon Duamenën në krye të shënuesve më të mirë. Por shtatë minuta më pas ndeshja do të ndërpritej, pasi është goditur nga sende të forta Najdovksi nga ana e tifozërisë së kuqe dhe Qirko në krahun tjetër nga ajo bardheblu.

Partizani dominon 10 minutat e fundit të pjesës së parë, krijon 2-3 mundësi të mira, por nuk arrin të barazojë. E dyta nis me një rast të artë për Latifin, por nuk arrin ta devijojë në rrjetë. Tirana kërkoi të vrasë ndeshjen me një gol të dytë, por me kalimin e minutave edhe Partizani rrit ritmin. Nuk mungojnë edhe përplasjet verbale në fushë, siç ishte ai mes Dokës dhe Rrapajt, që marrin kartonët e verdhë. Për të ardhur në minutën e 79-të, kur Murataj jep një pasim të bukur për Kekon dhe ky i fundit nuk fal, duke barazuar shifrat në 1-1, edhe pse kishte pak minuta në fushë. Derbi ishte i hapur deri në fund, me raste nga të dyja krahët, por nuk pati fitues.