MENU
klinika

“Do jetë luftë për jetë a vdekje”

Berisha kërcënon me kaos: Nga e hëna nisim protestat pa ndalim

14.12.2023 - 23:11

Berisha ka urdhëruar të vetët që nga e hëna të dalin në protestë, ditën kur do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për t’i hequr atij imunitetin…
Ish-kryeministri Sali Berisha ka konfirmuar se nga e hëna ai do të nxjerrë militantët në protestë.

Sot pati një mbledhje Kryesie nga Rithemelimi ku u vendos që të mbahet një protestë gjatë kohës që në Këshillin e Mandateve do të diskutohet për imunitetin e Sali Berishës.

Por ky i fundit ishte këtë mbrëmje në një emision, duke thënë se nga e hëna nis mosbindja civile pa mbarim. Ai u shpreh se protestat do jenë të përditshme, duke u shprehur se do të jetë një betejë për jetë a vdekje për opozitën.

“Nga e hëna nisin protesta pa mbarim. Opozita është në mosbindje civile në Kuvend dhe ju e patë që në deklaratën e Këshillit të Ministrave të BE ishte pika e parë bllokimi që Rama i bëri hapjes së negociatave. Së dyti, opozita edhe sot i patë skenat e paimagjinueshme, deputetët që nuk ishin përjashtuar nuk lejoheshin të futeshin. Kur trajtohet Parlamenti kështu s’ka rrugë tjetër veçse mosbindjes civile. Sot në Parlament është votuar një akt që nuk ekziston kurrë në botë. Është votuar zgjatja e përjashtimit nga 10 ditë në 60 ditë. Jo vetëm kaq. Por ai vjen e thotë që deputeti nuk ka më asnjë të drejtë për asnjë aktivitet si deputet. Defakto ai i heq mandatin për 2 muaj deputetit. Kushtrim për opozitën për një betejë për jetë a vdekje. Do fillojmë sepse mund të fillonim që sot, por dhe mund të mos e votonin”, tha ai.

Më tej ish-kryeministri Sali Berisha tha se do të vijojë të drejtojë Partinë Demokratike edhe nëse SPAK vendos masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Ai u shpreh se partinë do e drejtonte “nga thellësitë e çdo qelie” dhe se do e çonte drejt fitores. Berisha theksoi se pavarësisht masave të sigurisë, do të vijonte të komunikonte me qytetarët.

“Do e drejtojë Sali Berisha dhe nga thellësitë e çdo qelia. Unë do e drejtoj dhe do e çoj drejt fitores. Mund të marrë vendim që të mos komunikoj idealet e mia me shqiptarët? Kurrë. Nuk ka mure që ndalojë idealet e lirisë. Unë qëndroj më i sigurt se kurrë. Shqipëria krahasohet me Rusinë e Putinit. Ky diskutim fsheh katastrofën që vjen për dhunimin e Kushtetutës”, tha Berisha për “Opinion”.