MENU
klinika

Mosdhënia e lejes për betimin

“Çështja Beleri”, reagon Edi Rama: Vendimi i GJKKO, korrekt!

21.12.2023 - 16:18

Reagimi i Edi Ramës për “çështjen Beleri”:

Nga leximi i vendimit të arsyetuar të GJKKO mbi mosdhënien e lejes për betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, shoh të udhës të nënvizoj publikisht sa më poshtë: 1. Mosdhënia e lejes për betim në kushtet e paraburgimit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rezulton përfundimisht një qëndrim korrekt ligjor, ashtu sikundër edhe refuzimi i gjykatës speciale ndaj kërkesës është qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm. 2. Fakti që kryetari i zgjedhur i Himarës mbetet i tillë deri në fund të gjykimit dhe vetëm shpallja me vendim të formës së prerë do të përcaktojë mundësinë e tij për t’u betuar në rast pafajësie apo pamundësinë e tij për të mbetur kryebashkiak në rast fajësie, është po ashtu qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm. 3. Referimi nga ana e GJKKO e ngërçit që krijohet në vazhdimësinë e përkohshme të detyrës nga ana e kandidatit humbës, përderisa faktikisht kryebashkiaku i zgjedhur mbetet në paraburgim, ndërkohë që kryebashkiaku ende në zyrë nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar bashkinë në mungesë të fituesit, e bën qartësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme nevojën e daljes nga ky ngërç përmes ndërprerjes së vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të kandidatit humbës, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në bashkinë e Himarës. Si përfundim, ky vendim i arsyetuar i GJKKO është një konfirmim i padiskutueshëm ligjor i “çështjes Beleri” si një çështje e drejtësisë, assesi e politikës apo kurrësesi e organeve të qeverisë qendrore. Po ashtu arsyetimi i këtij vendimi krijon një premisë pozitive për adresimin e ngërçit të lartpërmendur.