MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Cilat janë shenjat e sëmundjes së Menierit?

07.12.2023 - 07:33

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Cilat janë shenjat e sëmundjes së Menierit?

Mjeku: Morbus Meniere është një sëmundje e veshit të brendshëm që shkakton shurdhësi, zhurmë në vesh dhe marrje mendsh. Prek kryesisht moshat e mesme dhe më shumë njërin vesh sesa të dy veshët.

Katër janë shenjat madhore të sëmundjes së Menierit:

Marrje mendsh që shoqërohen me pështjellime e të vjella;
Rënie e aftësisë së dëgjimit;
Zhurmë në vesh;
Ndjenja e mbushjes së veshit.
test degjimi veshKrahas humbjes së aftësisë së dëgjimit, disa të sëmurë mund të ankohen se tingujt në veshin e prekur janë ndryshe apo nuk i duron dot.

Këto shenja në fillim të sëmundjes mund të jenë edhe të veçanta, por kur kriza shfaqet plotësisht, të gjitha shenjat shkojnë bashkë.

Ecuria e sëmundjes është mjaft e ndryshueshme, çka do të thotë se krizat mund të jenë tepër të rralla ose tepër të shpeshta. Kur krizat janë të shpeshta, mbetet zhurma në vesh dhe dëgjimi humbet gradualisht në mënyrë të pakthyeshme. Kriza zgjat disa orë deri në 24 orë. Mandej kriza qetësohet edhe vetvetiu. Në fillimet e saj zhurma e veshit dhe rënia e dëgjimit shtohet në prag të krizës dhe në krizë. Me kalimin e krizës, këto dy shenja bien ose humbasin plotësisht.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN