MENU
klinika

Do zëvendësojë Sali Berishën?

Çollaku tregon parapaskenat: Argita është më racionale se i ati

05.12.2023 - 15:47

Ish kryeministri Sali Berisha mbajti më 2 dhjetor Kuvendin e Rithemelimit dhe për herë të parë, vajza e tij, Argita Malltezi, mbajti një fjalim publik.

Në lidhje me këtë, nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku thotë se nëse ndodh që Argita të zëvendësojë të atin e saj, drejtimi i Rithemelimit do të ishte më racional.

Në një intervistë për “Tirana Live” , Çollaku u shpreh se Rithemelimit në këtë situatë, do t’i duhej më shumë racionaliteti.

“Është fakt, Kuvendi i 2 dhjetorit është provë që bën fjalë për dy formacione të ndryshme. Unë jam bashkëmoshatar me Argitën, kemi qenë studentë në grevën e urisë në vitin 1991, kam njohje relative, kemi shkëmbyer respekt të ndërsjellë. Është inteligjente. Nuk e di idenë, nuk dua të spekuloj. Nëse do të ndodhë, le të flasë. Unë mendoj që Argita në drejtim të Rithemelimit do të kishte një element më shtesë, do ishte më racionale. Do e vlerësoja më drejtë se i ati. Mendoj që Rithemelimit në këtë situatë, do t’i duhej më shumë racionaliteti, e gjej më shumë te Argita. Para 10 vjetësh do të ishte diçka tjetër, sot është në antikohë, e sanksionuar. Do ta shikoja më racionale sjelljen e Rithemelimit.”, theksoi ai.

Më tej Kreshnik Çollaku në parim shprehet i gatshëm për bashkimin e opozitës, por gjykon se kjo nuk është sfida kryesore e saj.

Çollaku u shpreh se sfidat kryesore janë bashkimi i votës së demokratëve në bazë, dhe ruajtja e marrëdhënieve me aleatët strategjikë, SHBA dhe BE.

“Në parim, jam pro bashkimit opozitar, me këdo. Çështja, në parim, nuk ka kush e kundërshton. Unë mendoj, çështja kryesore e opozitës nuk është riformatimi i partive me kryetarë partish prej 30 vitesh.

Sfida kryesore është bashkimi i votës, i demokratëve në bazë. Sfida e madhe është bashkimi i çdo vote demokratësh në bazë dhe moscënimi i marrëdhënieve me SHBA dhe BE. Këto janë dy akset që rikthejnë Partinë Demokratike në pushtet.

Jemi të hapur, unë personalisht jam i hapur për të folur me këdo. Por klima e opozitës është ekstreme. Unë ua thashë, Partisë Demokratike i duhen dy elementë, bashkimi i votës së bazës dhe marrëdhëniet me SHBA.

Mendoj se opozita ka nevojë që të jetë opozitë e pastër, që nuk mund të jetë subjekt i hetimeve të SPAK, që ruan marrëdhëniet me aleatët strategjikë. Është formula e duhur”, theksoi ai.