MENU
klinika

"PD po vuan të gjitha llojet e krizave"

Deputeti i PS: Berisha ka një krizë personale, duke shmangur SPAK tregoi se është frikacak

06.12.2023 - 10:59

Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, thotë se PD-ja po tenton që tërësinë e problemeve të veta t’i sjellë në seancat e Kuvendit duke prodhuar kaos, përplasje dhe hedhje flakadanësh.

Koçi u shpreh se PD po vuan të gjitha llojet e krizave dhe sjelljet e tyre në parlament nuk janë asgjë më shumë, por thjesht imazhi i tyre i vërtetë.

“Kjo është një përpjekje e PD për të transferuar krizën në të cilën ndodhet në PD. PD është në krizë psikologjike, organizative dhe në krizë elektorale. Janë të gjitha llojet e krizave që është përfshirë PD, të cilat shkaktojnë këto sjellje të papëlqyeshme në Parlament”, tha ai.

Ai theksoi se Sali Berisha po demonstron krizën e tij personale, sidomos pas goditjes që mori nga SHBA duke u shpallur “non grata” për korrupsion dhe minim demokracie.

Deputeti i PS-së komentoi veprimet e Berishës, i cili për herë të tretë refuzoi të shkonte në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë, sa i takon dosjes hetimore për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

“Tani është kriza e tij personale, sepse është o shpallur non grata që është goditje shumë e madhe dhe është kërkesa e drejtësisë, e cila kërkon t’i përgjigjet asaj për çështje korrupsioni. Kjo tregon se së pari është një frikacak dhe e ka frikë drejtësinë. Ai duhet të ishte modeli që respekton ligjin dhe shtetin, por ai nuk e ka as burrërinë as moralin politik. Me këtë dëshmon se nuk ka qenë kurrë burrë shteti, por një burrë anti-shtet”, theksoi ai në emisionin “Ora e Fundit” .