MENU
klinika

Artur Ajazi

Digjini karriget, por Shqiperinë kurrë…

04.12.2023 - 17:58

Flaka, zjarri, tymueset, shkrepsja, çakmaku, tritoli, janë disa prej “mjeteve demokratike” që disponon dhe nuk i harron kurrë opozita e vjetër. Fatkeqësisht ajo është në Parlament, për të na kujtuar se, kanë mbetur ata që ishin në 1996 kur rrahën opozitën socialiste dhe fituan zgjedhjet duke vjedhur vota, kanë mbetur ata të 1997, ata të 1998, ata të 2001, ata të 2021 dhe të 14 Majit 2023. Sa shumë histori me flakadanë, dhunë, zjarre dhe tritole.

Ajo kurrë nuk mund të jetë pjesë e politikës europianiste, pjesë e një opozite të përgjegjshme që mendon dhe vepron për të nxitur investimet publike, për integrimin dhe përmirësimin e jetës së shqiptareve. Nuk mungoi edhe kësaj here flaka në Parlament. Përplasja nisi në dyert e atij tempulli, dhe mbaroi me zjarrin e ndezur nga zjarrvënësit. Digjini karriget, por Shqipërinë nuk e digjni kurrë më.

Kurrë nuk do të arrini të digjni vendin, qytetet, fshatrat, investimet, arritjet dhe sukseset e shqiptareve. Kurrë nuk do të arrini të bëni atë që bëtë me piramidat, me hapjen e depove, me vjedhjet e pasurive publike, trojeve dhe pronave të pronarëve ligjitimë, kurrë nuk do të arrini të gjunjëzoni qeverinë, shtetin, institucionet ligjzbatuese.

Digjini karriget dhe shamitë e duarve, por kurrë flaka e tyre nuk do të djegë Shqipërinë, që u bë me sakrificat e shqiptarëve, kurrë nuk do të mund të trembni më foshnjat me krisma kallashnikovi si në 1997. Ndaj, ktheni rrugën e nisur, pasi shqiptarë nuk do t’ju japin votë kurrë. Debatet parlamentare dhe kundërshtitë përmes votës, janë mjete demokratike deri në momentin kur nuk tejkalohet kufiri mes tyre dhe dhunës.

Kjo opozitë e pabashkuar, kurrë nuk do të ketë shansin të tregojë sa e aftë dhe e denjë është për tu votuar, derisa të ketë si mjetin e vetëm dhunën, për t’ju imponuar qeverisjes dhe shumicës parlamentare. Gjërat janë të thjeshta. Një Parlament funksionon përmes debateve, votës së lirë, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit për të mirën e vendit dhe popullit. Nuk ke shanse ti kundërvihesh shumicës, kur nuk ke fakte bindëse, kur nuk ke dëshirën e mirë për bashkëpunim institucional, dhe kur nuk ke alternativë argumentuese.

Digjini karriget dhe tavolinat tuaja, por Shqipërinë kurrë nuk do të arrini ta ndalni në rrugëtimin e saj të zhvillimit dhe integrimit europian. Ju digjni karriget, pasi keni xhepat plot me para pushteti, ju digjni karriget e Parlamentit pasi kërkoni të mbroni milionat dhe sarajet e vëna në rrugë të paligjshme sa kishit pushtetin. Shqiptarët nuk ju besojnë më kurrë, pasi në memorjen e tyre jeni “zjarrvënës dhe jo ligjëvënës” të kamur.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN