MENU
klinika

Vrasja e Nikulajt

Efektivët e policisë shkojnë në Marok, pritet ekstradimi i portugezit Ruben Saraiva në Shqipëri

28.12.2023 - 22:04

Ruben Saraiva, vrasësi i biznesmenit Ardian Nikulaj do të ekstradohet në Shqipëri.

Portugezi u arrestua në maj të këtij viti në Marok, pas akuzave si ekzekutor i Nikulajt në lokalin e këtij të fundit në zonën e Shëngjinit.

Policia shqiptare ka udhëtuar drejt Marokut për të marrë vrasësin për shkak se është vendosur depërtimi i tij për ta sjellë para drejtësisë shqiptare. Gjithë procedura pritet të përmbyllet këtë të premte.

Mbërritja e tij në Shqipëri do të hedhë dritë mbi hetimet dhe mekanizmat që ka përdorur ky grup kriminal me 3 kombësi për vrasjen e biznesmenit. Dyshohet se porositës është Edmond Haxhia, i cili kërkoi vrasjen e Nikulajt për hakmarrje.

Nikulaj u ekzekutua në prill të këtij viti teksa po qëndronte ulur brenda biznesit të tij, kur portugezi me skafandër hyri dhe qëlloi disa herë me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. Pas ngjarjes, anglezët që ishin në rolin e vëzhguesit u larguan nga Rinasi dhe ndërsa ekzekutori Ruben Saraiva në rrugë tokësore shkoi fillimisht në Greqi, me pas në Maltë dhe destinacioni final ishte Maroku ku dhe u arrestua.

Vrasja e Nikulajt pasoi ngjarje të tjera kriminale të cilat janë ende pa autor. Në korrik të këtij viti në Balldre të Lezhës u ekzekutua Nikolin Lekstakaj, ndërsa më 4 dhjetor u ekzekutua me breshëri plumbash Etjan Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardian Nikulaj, teksa po lëvizte me automjetin e tij fuoristradë ML në aksin rrugor Lezhë-Milot. Pista kryesore e hetimeve është ajo e gjakmarrjes mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj.