MENU
klinika

Mesazhi para vizitës në Athinë

Erdogan-Mitsotakisit: S’të kërcënojmë nëse nuk e bën as ti

06.12.2023 - 11:08

“Kiriakos, miku im, nuk ju kërcënojmë, nëse nuk na kërcënoni. Nuk ka asnjë çështje që ne nuk mund ta zgjidhim”, është një nga frazat e përdorura nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

Presidenti turk, Rexhep Tajpi Erdogan i ka dhënë një mesazh të fortë kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, para vizitës së tij në Athinë, ku ndër të tjera është shprehur se Turqia nuk kërcënon nëse Greqia nuk i kërcënon e para.

Deklaratën e tij, Erdogan e tha në një intervistë 24 orë para mbërritjes së tij në Athinë, drejtuar kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.

“Le të forcojmë besimin mes dy vendeve tona. Të rrisim bashkëpunimin dypalësh në çdo sektor, në ekonomi, tregti, transport, energji, shëndetësi, teknologji, arsim, në çështjet që kanë të bëjnë me rininë”, shton presidenti i Turqisë në intervistën e tij për Kathimerini.

Erdogan shton më tej se së bashku me Greqinë, duhet të tregojmë kujdes për trashëgiminë historike dhe kulturore të vendeve tona. Ai tha se nuk ka asnjë problem që nuk mund ta zgjidhin përmes dialogut mes dy shteteve.

“Të tregojmë kujdes dhe shqetësim të ndërsjellë për trashëgiminë historike dhe kulturore të vendeve tona. Qoftë çështjet në Egje, lufta e përbashkët kundër emigracionit të parregullt, apo problemet e vazhdueshme të pakicës turke në Greqi, nuk ka asnjë problem që nuk mund ta zgjidhim përmes dialogut mbi bazën e vullnetit të mirë të ndërsjellë”, tha ai.

Presidenti turk në intervistën e tij përshkruan gjithashtu se për të ka “probleme të ndërlidhura që duhen zgjidhur veç shelfit kontinental” dhe se “kur i drejtohemi drejtësisë ndërkombëtare, nuk duhet të lëmë asnjë problem pas”.

“Unë besoj se problemet do të zgjidhen në kuadër të dialogut dhe vullnetit të mirë. Natyrisht, ka shumë probleme të ndërlidhura që duhet të zgjidhen përmes shelfit kontinental. Ne duhet t’i konsiderojmë ato si një e tërë. Një qasje selektive nuk është e saktë. Të flasim për tema të caktuara dhe të mos flasim për të tjera. Sepse të gjitha janë të ndërlidhura. Kur i drejtohemi drejtësisë ndërkombëtare, nuk duhet të lëmë asnjë problem pas. Mbi të gjitha, megjithatë, për të gjitha problemet tona duhet të flasim me guxim dhe të drejtojmë drejt opinionin tonë publik”, thotë presidenti turk duke konfirmuar edhe njëherë qëndrimin tipik.

I pyetur për shfrytëzimin e depozitave të energjisë në Mesdheun Lindor dhe Egje, presidenti turk flet për “mundësi bashkëpunimi” duke thënë në mënyrë karakteristike: “A ka apo jo rezerva është një çështje që mund të përcaktohet si rezultat i kërkimit shkencor dhe jo si rezultat i mendimit tim personal. Nga sa shohim, ka pasur dhe po bëhen studime premtuese lidhur me këtë çështje. Mesdheu dhe Egje janë pellgje të pasura me burime natyrore.

Në kontekstin aktual ndërkombëtar, garantimi dhe ruajtja e sigurisë energjetike nga pikëpamja strategjike është bërë një çështje kyçe. Në këtë kuptim, sidomos në Mesdhe ka mundësi dhe mundësi bashkëpunimi… Ka shumë çështje për të cilat mund të bashkëpunojmë edhe në Egje. Gjithçka është për paqen dhe mirëqenien e njerëzve dhe të brezave tanë të ardhshëm”.