GJKKO do të shqyrtojë ditën e sotme kërkesën e Fredi Belerit për të marrë leje të posaçme për betimin e tij si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës në zgjedhjet e 14 majit.
E pranishme në seancë është edhe ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Konstantina Kamitsi. Ambasadorja ka shkuar në GJKKO, për të ndjekur nga afër procesin.
Fredi Beleri i cili doli fitues në zgjedhjet vendore të 14 majit, u arrestua më 12 maj, me dyshimin e korrupsionit pasiv në zgjedhje e kryer në bashkëpunim.
Gjykatat e tjera e kanë rrëzuar në 5 raste kërkesën e tij për tu liruar ndërsa për herë të parë kjo masë sigurie do të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë.
Dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, Beleri u arrestua nën akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhjet apo blerjes së votave.
Një person bashkëpunoi me policinë dhe prokurorinë e Vlorës për dokumentuar faktin e akuzës, ai u pajis me logjistikën e nevojshme, që nga regjistruesi. I infiltruari arriti të merrte shumën prej 40 mijë lekëve të reja në kërkim të 8 votave në favor të Belerit. Beleri u shpall fitues nga qelia në zgjedhje, por betimi i tij nuk u krye asnjëherë për të marrë detyrën.
Arrestimi i tij ka nxitur reagimin e Athinës e cila kërkon me ngulm lirimin e tij duke deklaruar se arrestimi i tij ka lidhje politike. Ministri i jashtëm grek Jorgos Gjerapetritis ka folur me tone kërcënuese teksa ka bërë një deklaratë në lidhje me refuzimin nga Gjykata e Lartë për të liruar Fredi Belerin. Gjerapetritis thotë se ky vendim i shtohet vendimeve të mëparshme të gjykatave shqiptare, të cilat i mohojnë Belerit të drejtën të betohet dhe të ushtrojë detyrën që i caktuan qytetarët e Himarës.
Ministri grek ka paralajmëruar Shqipërinë të respektojë shtetin e së drejtës nëse do të jetë pjesë e familjes europiane. Gjithashtu Gjerapetritis i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të sigurojë betimin e menjëhershëm të Belerit brenda apo jashtë burgut.
Ndërkohë, më herët mediat greke publikuan tri kushtet në çështjen Beleri që Greqia i ka vendosur Shqipërisë për të pranuar hapat e ardhshëm të anëtarësimit të saj në BE.
Ato përmbahen në një deklaratë me shkrim të depozituar dje në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm dhe i janë bashkangjitur letrës së dërguar Tiranës dhe Shkupit nga 27 vendet e BE për hapjen e pesë kapitujve themelorë të negociatave.
Konkretisht, Greqia kërkon që kryetari i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri të marrë detyrën menjëherë, të respektohet e drejta e tij për një proces të drejtë si dhe prezumimi i pafajësisë.
Ashpërsimi i qëndrimit grek sipas gazetës, lidhet me intolerancën që Tirana ka treguar këtë periudhë, por është edhe një mesazh për partneret europianë, të cilët konsiderojnë se Greqia po e bilaterizon çështjen Beleri, duke injoruar dimensionin e saj thellësisht evropian.