Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me burg përjetë për Koço Buzon ish policin që vrau gruan e tij Liljana Buzo.
Ngjarja e rëndë ndodhi në 6 maj 2021 pas seancës gjyqësore për procesin e divorcit mes tyre. Autori i krimit nuk ishte paraqitur në seancë dhe po priste me një thikë dhe kallashnikov në dorë jashtë Gjykatës së Elbasanit.
Buzo e goditi fillimisht me thikë ish bashkëshorten dhe më pas e qëlloi 7 herë me kallashnikov pas shpine, duke e lënë të vdekur në vend nënën e 3 fëmijëve të tij.
SI NDODHI KRIMI
Pasditen e datës 20 maj të dy viteve më parë, ish-polici Koço Buzo ka përdorur një armë të policisë së shtetit për të ekzekutuar gruan e tij Liljana Buzon, pranë Gjykatës së Elbasanit. Kallashnikovi i marrë gjatë viteve 1988-1999, në magazinën e armatimit të komisariatit të Elbasanit, është përdorur në këtë krim nga Koço Buzo, i cili në këtë periudhë ka shërbyer si punonjës policie në qytetin ku ndodhi krimi. Policia bëri me dije se në dëshminë e autorit të krimit, Koço Buzo, i cili tregoi para gjyqtarit Bujar Musta dhe prokurorit Petref Asllani, se ku e kishte gjetur automatikun, duke shfaqur dhe habinë se si i ishte vrarë gruaja. Në një rrëfim kontradiktor Buzo ka treguar aso kohe në sallën e gjyqit se nuk dinte asgjë se çfarë i kishte ndodhur bashkëshortes së tij, Liljana. “…Nuk e kam bërë unë ngjarjen në datën 5. Unë kam marrë vesh për ngjarjen kur kam qenë në Polici. E mësova nga shokët në polici. Kisha përvjetorin e djalit të madh, Klajdi, që më ka vdekur para 20 vjetësh…”, ka thënë në gjykatë ish polici Buzo.
Automatikun e kam marrë në degën e komisariatit gjatë viteve 1988-1999 dhe nuk e kam dorëzuar. Ndërsa armën e ftohtë nuk e mbaj mënd se ku e kam marrë. Habitem shumë që është vrarë gruaja dhe kundërshtoj të gjitha aktet që ka sjellë prokuroria në këtë gjykim…”, ka pohuar më tej i arrestuari. Më tej, Koço Buzo ka thënë se ka qenë në depresion. “Gruan ma quajnë Liljana dhe kam 3 fëmijë. Unë e di që gruaja është në Tiranë dhe nuk ka ardhur për të më takuar dhe deri në nëntor të vitit të kaluar nuk kemi pasi mosmarrëveshje. Ka 6 muaj gruaja është në Tiranë dhe e di policia pse është atje, pasi policia i bën presion gruas, kam 6 muaj që i kam shërbyer fëmijëve dhe të përballem vetëm me ligjin duke kërkuar drejtësi…”. Liljana Buzo, u qëllua me dymbëdhjetë plumba në trup sapo kishte dalë nga gjykata e Elbasanit, ku ishte thirrur në procesin gjyqësor për “Dhunë në familje” kundër burrit të saj.
Njoftimi
Referuar raportimeve në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale K.B, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79 gërma “ë” e 22 të K.Penal, “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c të K.Penal, për veprën penale të “Prishja e qetësisë publike’, parashikuar nga neni 274 i K.Penal si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’, parashikuar nga neni 278/1 i K.Penal.
Fakti objekt akuze lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 06.05.2021, rreth orës 12:30, në lagjen “5 Maj” në Elbasan, në afërsi të kryqëzimit poshtë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, shtetasi me iniciale K.B ka qëlluar me armë zjarri gruan e tij shtetasen me iniciale L.B, e cila si pasojë ka gjetur vdekjen.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin nr. 235 (13-2023-1607), datë 27.04.2023 ka vendosur:
– Deklarimin fajtor të pandehurit K.B, me masë sigurimi “arrest në burg “ për kryerjen e veprës penale të “Vrasje per shkak te marrdhenieve familjare ”, të parashikuar nga neni 79/c të K.Penal dhe po në bazë të këtij neni dënimin e tij me burgim te përjetshëm.
– Deklarimin fajtor të pandehurit K.B, me masë sigurimi, “arrest në burg “, për kryerjen e veprës penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë, të parashikuar nga neni 79 /ë, në lidhje me nenin 22 të K.Penal dhe po në bazë të këtij neni dënimin e tij me 25 vjet burgim.
– Deklarimin fajtor të pandehurit K.B, masë sigurimi “arrest ne burg“, për kryerjen e veprës penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armeve shperthyese dhe municionit ” te parashikuar nga neni 278/1 te K.Penal dhe po në bazë të këtij neni denimin e tij me 7 vjet burgim.
– Deklarimin fajtor te pandehurit K.B, me mase sigurimi, “arrest në burg“, për kryerjen e veprës penale të “Prishja e qetesise publike ” te parashikuar nga neni 274 te K.Penal dhe po ne baze te ketij neni denimin e tij me 1 vit burgim.
– Në zbatim të nenit 55 te K.Penal dënimin përfundimisht të pandehurit K.B, me burgim të përjetshëm.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale K.B, i cili kërkoi:
• Ndryshimin e vendimit nr. 235 (13-2023-1607) datë 27.04.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në të njëjtën gjykatë me tjetër trup gjykues.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 06.12.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Fuat Vjerdha dhe anëtare znj. Irena Brahimi dhe z. Genti Dokollari, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 235 (13-2023-1607) datë 27.04.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Tiranë, 06.12.2023
GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM