MENU
klinika

Inceneratori i Tiranës

“Jam viktimë e Saliut dhe e partiçkës së vogël”, zbardhen dëshmitë e Bllakos dhe Kokës

11.12.2023 - 17:18

Madhësia e tekstit:
Të gjithë të akuzuarit për çështjen e inceneratorit të Tiranës kanë mohuar akuzat e ngritura nga SPAK. Gazetarja Klodiana Lala bën me dije për BalkanWeb se shumica prej tyre kanë folur vetë në seancë duke pretenduar se kanë kryer vetëm detyrën dhe kanë zbatuar ligjin.

Mes tyre ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako, në mbrojtjen e tij ka pretenduar se për blerjen e makinerisë së birrës me vlerë 119.755 disponon fatura.

“E kam blerë personalisht në Çeki. Disponoj fatura që mund t’jua vë në dispozicion. Nuk kam përfituar blerje të tillë nga Klodian Zoto”, tha Bllako.

Për punësimin e Vladimir Bezhanit, Alqi Bllako tha: Është një kontratë e ligjshme me sektorin privat. As me rregullore as me ligj nuk ndalohet. Është një nga tre ekspertët më të mirë në republikë sa i përket studimeve për trajtimin e mbetjeve. Paga e personit të punësuar është e ligjshme, sa kohë është e ligjshme s’ka motiv për të ngritur akuzë.

Sa i takon komunikimeve të disa prej zyrtarëve me Klodian Zoton apo punonjës të kompanisë së tij, të akuzuarit kanë pretenduar se në rastin e ofertave të pakërkuara duhet të ketë komunikim, bisedime e kontakte mes firmës që ka shfaqur interes dhe kontraktorëve.

Ndërkohë ish-ministri Lefter Koka ka deklaruar: Akuzat janë ngritur mbi baze të opinionit politik e mediatik. Jam viktimë e Saliut dhe e partiçkës së vogël.

Koka i kërkoi ndjesë stafit që tha se janë këtu për shkakun e tij, por këmbëngul që të gjithë janë në këtë situatë për shkak të Berishës dhe “partiçkës së vogël”.

SPAK ndërkohë ka kërkuar burg për Pëllumb Abeshin, i cili është në arrest në shtëpi. Edhe në mungesë SPAK ka kërkuar burg për Abeshin dhe Etleva Kondin. Për Abeshin është rrëzuar, pasi është 65 vjeç, ndërsa Kondi ka fëmijë të mitur.