Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express në kuadër të një edicioni special intervistash me aktor të rëndësishëm të sigurisë, politikës e medias, ka folur për Veriun, aspektet e sigurisë dhe për sfidat e vitit 2024.
Ulutas në këtë intervistë për Gazetën Express ka dhënë garancinë e tij se KFOR-i do të vazhdojë përpjekjet për t’i parandaluar eskalimet dhe se ushtarët e misionit të NATO-s janë të gatshëm t’i përgjigjen çdo sfide.
Komandanti turk ka thënë se presin nga Kosova që të respektohet kërkesa për njoftim paraprak të tij si komandant i KFOR-it para çdo vendosje të FSK-së apo njësive speciale të Policisë së Kosovës në Veri që mund të ketë ndikim në sigurinë e rajonit.
Ulutas i pyetur për Veriun, është shprehur se KFOR i merr shumë seriozisht incidentet në Veri, të më hershmet dhe gjithashtu edhe sulmin në Banjskë dhe potencon se presin që autorët të vihen para drejtësisë. Ushtaraku turk që ka KFOR-in nën komandën e tij ka folur edhe për vizitën që ka pasur në Serbi dhe takimin me shefin e ushtrisë serbe atje. Në fund sa i përket sfidave të vitit 2024, Ulutas ka thënë se KFOR zotohet se përmes përpjekjeve të përditshme të vazhdojë të ofrojë kornizën e sigurisë në mënyrë që dialogu i lehtësuar nga BE-ja në mes të Prishtinës dhe Beogradit të ecë përpara.
–Krerët e shtetit të Kosovës, në paraqitje të ndryshme publike, kanë paralajmëruar se sulme të reja kundër Kosovës po përgatiten në Serbi. Duke qenë se KFOR-i po kujdeset tashmë për sigurinë e Veriut të Kosovës bashkë me Policinë e Kosovës, cili është mesazhi juaj për kosovarët që mund të jenë shqetësuar nga paralajmërimet dhe rrezikun që një sulm i ri mund të ndodh?
Ozkan Ulutas: Ne jemi në kontakt të ngushtë me institucionet në Kosovë dhe organizatat e sigurisë në Kosovë, si dhe me palët tjera të interesit, përfshirë misionin e BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Serbe, OSBE-në dhe UNMIK-un. Ne jemi duke monitoruar nga afër zhvillimet relevante të sigurisë në rajon. Mandati i KFOR-it është i qartë: Të mbajë një ambient të qetë dhe të sigurt në Kosovë, për të gjithë qytetarët e saj. S’ka rëndësi se prej nga vjen rreziku. Më lejo që t’ju siguroj se ne do të vazhdojmë me përpjekjet për t’i parandaluar eskalimet dhe jemi gati t’i përgjigjemi çdo sfide.
KFOR-i mbetet i fokusuar në implementimin e paanshëm të mandatit tij të dhënë nga Kombet e Bashkuara, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999, për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt si dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë.
–Cili është bashkëpunimi aktual që keni me Policinë e Kosovës, a është duke u respektuar kërkesa e KFOR-it që Policia e Kosovës duhet të njoftojë dhe të marrë aprovimin paraprak nga ju si Komandant i KFOR-it për çfarëdo zbarkim të forcave speciale në Veri?
Ozkan Ulutas: KFOR-i nuk është organizatë ligj-zbatuese. KFOR-i vazhdon të operojë si reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, respektivisht, me të cilët kemi bashkëpunim të ngushtë në baza të rregullta. Siç ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm “Ne presim konsultime në kohë për çfarëdo aksioni të Forcës së Sigurisë së Kosovës apo Policisë së Kosovës që mund të ketë ndikim në sigurinë rajonale”. Unë llogaris tek të gjithë homologët për ta vazhduar bashkëpunimin e rregullt dhe koordinimin për këto çështje të rëndësishme.
–Si një ushtarak me përvojë që tashmë po drejton KFOR-in, çfarë do të thotë për ju sulmi i 24 shtatorit në Banjskë dhe a keni ndonjë informacion se cili ka qenë qëllimi i sulmit. Cili ka qenë roli i KFOR-it në gjithë ngjarjen e ndodhur në Banjskë më 24 shtator dhe a jeni të shqetësuar për sasinë e madhe të armatimit ushtarak që është kapur në Banjskë pas sulmit të 24 shtatorit?
Ozkan Ulutas: Ne i marrim shumë seriozisht këto incidente të fundit si dhe sulmet e më hershme ndaj trupave të NATO-së. Këto janë të papranueshme dhe kryerësit duhet të mbahen përgjegjës. KFOR-i nuk është një organizatë ligj-zbatuese. Ne kemi kërkuar nga autoritetet relevante në Prishtinë dhe Beograd që t’i realizojnë hetimet e nevojshme ligjore për t’i vërtetuar faktet dhe për t’i sjellë ata që janë përgjegjës para drejtësisë.
KFOR-i vepron si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, respektivisht, me të cilët ne kemi bashkëpunim të ngushtë në baza të rregullta.
Të gjitha këto pika janë bërë gjithashtu të qarta nga Sekretari i NATO-së, Jens Stoltenberg, gjatë udhëtimit të tij në rajon këtë nëntor.
–Ju keni vizituar Beogradin dhe jeni takuar me liderët ushtarak dhe të mbrojtjes atje. Çfarë mund të na thoni për raportet në mes të KFOR-it dhe Ushtrisë Serbe pas sulmit në Banjskë?
Ozkan Ulutas: Siç e thashë edhe më parë, KFOR-i komunikon rregullisht dhe në mënyrë transparente me të gjitha palët e interesit, ndërkombëtare dhe vendore, dhe e kam bërë prioritet timin nxitjen e komunikimit dhe koordinimit të bazuar në besim. Ne jemi në kontakt të ngushtë me shefin e mbrojtjes së Serbisë, me institucionet në Kosovë si dhe me organizatat e sigurisë së Kosovës. Kjo është e rëndësishme për të shmangur keqkuptimet, veçanërisht në kohë krize dhe kur tensionet janë të larta.
Trupat e KFOR-it po kryejnë patrullime në mbarë Kosovën, në përputhje me mandatin e tij nga OKB-ja. Gjithashtu, patrullimet e përbashkëta me Policinë e Kosovës dhe patrullimet e sinkronizuara me Forcat e Armatosura të Serbisë planifikohen dhe realizohen rregullisht, përgjatë vijës së kufirit administrativ.
– Cilat janë sfidat e sigurisë për vitin 2024 dhe a mendoni që progresi në dialogun për normalizim Kosovë-Serbi është vital për vendosjen e paqe në Veri dhe në gjithë rajonin?
Ozkan Ulutas: Nuk do të spekuloj për ndonjë skenar të ardhshëm. Ne mbetemi plotësisht të zotuar – përmes përpjekjeve tona të përditshme – të vazhdojmë të ofrojmë kornizën e sigurisë ashtu që dialogu i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara. Kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme, e cila respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.