MENU
klinika

Qarqet që lënë pas Tiranën

Ku punësohen më shumë të rinjtë?

09.12.2023 - 11:42

Ndërsa bizneset po përballen çdo ditë e më shumë me mungesë të fuqisë punëtore, duket se zyrat e punës po luajnë rol të rëndësishëm në përputhjen e ofertës së tregut dhe kërkesës në këtë drejtim. Referuar buletinit statistikor të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive për vitin që lamë pas, rezulton se zyrat e punës kanë mundësuar punësimin e 28,984 punëkërkuesve të papunë. Rritja e punësimeve me 12% krahasuar me një vit më parë, duket se ka ardhur si pasojë e rritjes së ndjeshme të numrit të ndërmjetësimeve dhe punësimit nëpërmjet Programeve të Nxitjes së Punësimit.

Por cila është pesha që zënë të rinjtë? Po t’i referohemi moshës, vihet re që 31% e totalit të Punëkërkuesve të Papunë të punësuar janë të rinj deri në 29 vjeç apo 8414 individë. Ndërsa shanset më të vogla në punësim duket që i kanë grupmoshat e mëdha mbi 50 vjeç, të cilat zënë vetëm 14% të totalit të të punësuarve, pavarësisht se përbëjnë rreth 34% të punëkërkuesve të papunë të regjistruar.

Sipas të dhënave nga ky institucion, bizneset ku punësohen më shumë të rinjtë referuar atyre të cilët regjistrohen në zyrat e punësimit si punëkërkues të papunë janë industria përpunuese, akomodimi dhe shërbimi ushqimor dhe tregtia.

Nisur nga, vihet re se qarqet Vlorë, Durrës, Korçë dhe Kukës, ku janë të zhvilluara këto degë, kanë nivelin me të lartë të punësueshmërisë për këtë grupmoshë. Ndërsa moshat mbi 45 vjeç, punësohen kryesisht në profesione elementare, gratë në degët e industrisë përpunuese ndërsa burrat në ndërtim dhe miniera.

Niveli arsimor i ulët i punëkërkuesve të papunë të regjistruar pranë Zyrave të Punësimit është një pengesë serioze në punësimin e tyre. Punëkërkuesit e papunë me arsim deri në 9 vjeçar, përbëjnë 42% të Totalit të Pu.Pa-ve të regjistruar, ndërkohë 17% e ofertave të punës janë për specialist me arsim të lartë, teknik të mesëm dhe nëpunës, 28% janë për zanatçinjtë dhe 15% për punonjësit e industrisë.