Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova për herë të parë ka qeveri, që e cila nuk ka lidhje me krimin e organizuar dhe nuk ka frikë prej tij.
Gjatë festës së fundvitit së organizuar nga Lëvizja Vetëvendosja, Kurti deklaroi se krimi i organizuar tmerrohet nga qeveria. Sipas tij ata “ose ikin ose dorëzohen”.
“Eh, vetëm sikur edhe prokurorët t’i kishim pak më të guximshëm edhe gjyqtarët t’i kishim pak më punëtorë, nga kampionë ballkanikë siç jemi do të mund të bëheshim kampionë evropianë”, ka thënë kryeministri i Kosovës. Ai më tej ka folur edhe për sukseset e vitit 2023 të qeverisë që udhëheqë.
Sipas tij, të dhënat e ekonomisë në Kosovë tregojnë se ka vend për optimizëm.
“Jemi vendi me rritje ekonomike më të madhe në rajonin tonë. Natyrisht, e dimë se ka edhe vështirësi, sepse ne e kemi nisur prej një starti të avashtë, jo prej zeros po prej minusit. Por, ka edhe arsye për festë”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij ky ishte viti që anti-korrupsioni bëri rritje ekonomike dhe zhvillimeve shoqërore.
“Sepse ishte vit i qeverisë sonë progresiste me stabilitet institucional, që anti-korrupsionin e bëri rritje ekonomike, kurse lirinë për qytetarët e bëri zhvillim shoqëror. Pikërisht besimi i publikut në qeverisjen demokratike solli edhe dividendë ekonomike për shtetin dhe për popullsinë”, përfundoi ai.