MENU
klinika

Ylli Pata

‘Lëre se është armik i doktorit’? Po pse Berisha s’ka miq?

22.12.2023 - 19:33

Nëse dikush që nuk jeton në Shqipëri, shikon emisionet e darkës në prime time, shikon një realitet krejt tjetër nga ai që është në të vërtetë.

Mbrëmë, në studiot televizive, ku edhe ndodhej ndonjë kritik i Sali Berishës, ai jo vetëm nuk fliste dot, por edhe kur e merrte fjalën nuk e linte kush.

Te Erla, Dritan Hila në shumicën e emisionit shikonte telefonin, kurse te Grida, Kreshnik Spahiu sa hapte gojën e ndalonte Flamuri. “Po lërë o lerë atë, se është armik i doktorit”.

Argumenti kryesor e përplasja më e madhe në këto panele ishte se si do organizohet kryengritja e armatosur për tu hakmarrë ndaj SPAK. Ku natyrisht kishte qasje teatrale si ajo e Çanit për të përdorur inteligjencën artificiale në kryengritjen e re të armatosur, pas festive të fundvitit.

Në shumicën e këtyre “debateve” është e pamundur të diskutosh normalisht, përjashto tel tuk ndonjë emission, pasi dominon logjika e përgjithshme se doktorit po ja bëjnë me hile amerikanët, anglezët, Europa, Edi Rama e SPAK, pasi ai ka sjellë gjithë këto të mira në Shqipërinë tonë.

Megjithatë, ajo shprehja me inat e Flamur Nokës, është një çelës për të diskutuar një fenoment të rëndësishëm që është politik në fakt.

Sali Berisha është politikani me kohëzgjatjen më të madhe në Shqipëri, që ka pasur postet më të larta të shtetit, e ku natyrisht ka bërë edhe marrëveshjet më të forta me kundërshtarët politikë, për të ndryshuar Kushtetutën, për të zgjedhur Presidentin, për të shkarkuar Kryrprokurorin e Republikës, etj etj, ai sot është një nga politikanët më të vetmuar në vend.

Kur i ndjeri Silvio Berlusconi, ishte në ditët më të rënda të tij, pikërisht kur mbi të nisi një breshëri procesesh, ku më i rëndi ishte ai i marrëdhënieve me minorene, pati një valangë solidariteti.

Ndërkohë që në mediat italiane publikoheshin telefonatat ku Berlusconi fliste për të ndihmuar për punë mjaft prej vajzave vip, dolën të flasin mjaft emra të njohur të spektaklit. Luca Barbareschi, një aktor i njohur në Itali, tha se kavalieri nuk ka ndihmuar vetëm gratë, por edhe mjaft burra. Dhe solli shembullin e tij, ku Berlusconi kishte marrë në telefon gjysmën e bosëve të televizionit për ta futur në punë.

“Një nga virtytet e Silvios është të ndihmojë këdo”, tha ai, por edhe të tjerë nga bota e futbollit, ku ai kishte miq pa fund. Të gjithë yjet e Milanit të madh e kishin pikë të dobët kavalierin e rrëfenin të fortat pa fund në zijafetet e gëzueshme në pallatet e shumta të Berlusconit.

E kjo u pa qartë edhe në ceremoninë e varrimit, ku kishte një paradë gjigande njerëz të rëndësishëm që i dhanë lamtumirën mikut të tyre.

Në politikë, ka shumë njerëz që kanë qenë drejtues e shtetarë të njërës apo tjetrës parti, por përgjithësish ata kanë miq e dashamir edhe nga anët e tjera politike. Kjo shihet qartë te Rexhep Mejdani, Bamir Topi, Namik Dokle, Fatos Nano, etj etj.

Por Sali Berisha është ai lloj politikani, jo vetëm nga prerja e tij radikale, që ka pasur e ka gjithnjë e më pak miq. Madje edhe njerëzit që dikur ka qenë pjesë e shoqërisë së vjetër të profesionit të parë, nuk i ka dalë në krah, ose nuk i kemi parë fundja.

Ose ka shumë mundësi që ata si miq e kanë bërë punën e tyre dhe e kanë këshilluar doktorin që ka ardhur koha të bëjë mënjanë, por kanë marrë përgjigjen: qenke bërë armik i imi!

Është pikërisht ky mentalitet polarizues që e ka kthyer debatin publik në Shqipëri në një teatër absurd që tani po merr doza të mëdha tragjikomike.

Kjo nisi që pas vitit 2013, kur një nga zërat më të qytetëruar në debatin public, i ndjeri gazetari Andrea Stefani, sulmohej egërsisht si “ekstremist”. Andrea, ishte e kundërta e ekstremistit, nuk shante, nuk fyente kurrë, por veçse përdorte argumentin e fortë dhe të mbështetut në polemikat e tij në debatin te Fevziu kryesisht.

Linçimi i Andrea Stefanit, krijoi një handicap të madh, sa mjaft gazetarë që kishin qëndrime kritike ndaj Berishës, ose e rrudhnin qëndrimin e e tyre, ose nuk shkonin. E kështu u krijua një realitet virtual i rremë për vite e vite të ushqyer nga filozofët që i mveshën doktorit përmasa biblike e legjendare, ku debate e diskutimi normal është i kotë.

Megjithatë, fakti është sërish tragjik, edhe në rrafshin politik. Në një ditë të mbramë për Sali Berishën, nuk kemi parë asnjë emër të njohur të së djathtës që ta mbështesë, t’i qëndrojë pranë apo ngushëllojë. As ministra, kryeministra, presidentë, apo edhe emra të njohur në botë, me të cilët Sali Berisha ka bashkëpunuar kur ka qenë president, kryeministër, apo edhe lider opozite. Po këtu nuk ka faj as Kreshnik Spahiu, e as ndonjë gazetar që dikur ka mbështetur foltoren e tani nuk e ka më atë qëndrim…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN