Deputetët e Partisë Demokratike janë futur herët këtë të enjte në sallën e Kuvendit dhe janë përplasur me anëtarët e Gardës.
Në seancën e sotme në Kuvend pritet të kalojë nen për nen buxheti. Sharje, ofendime dhe kërcënimet nuk kanë munguar nga deputetët e opozitës.
“He more fol, të duket vetja trim ty, fol, se ke bërë nja dy herë trimin ti” i drejtohet Luan Baçit njërit prej gardistëve. “Ore lepurush të heq gurmazin”– dëgjohet një tjetër zë më tej që nuk dallohet se kush është prej deputetëve.
“Na thyet duart”- ankohet deputeti Bledion Nallbati.
Deputetët e Foltores nuk janë lejuar nga Garda që të grumbullojnë karriget dhe t’i përmbysin, siç kanë bërë në seancat e fundit.
Në “luftën për karrige” ka përplasje fizike midis disa deputetëve, Lefter Gështenja, Asllan Dogjani dhe Bledion Nallbati të cilët u konfrontuan me gardistët.
Ata madje përdorën edhe fjalor jo të përshtatshëm ndaj gardistëve.
Në seancë mungon Sali Berisha, i cili është i përjashtuar, së bashku me 5 deputetë që e mbështesin, Flamur Noka, Elda Hoti, Albana Vokshi, Gazment Bardhi dhe Edi Paloka.