MENU
klinika

Ndryshimet në Kodin Rrugor

Ndëshkime më të ashpra për shkelësit në zonat urbane

10.12.2023 - 13:22

Kodi Rrugor pritet të ndryshojë sërish, duke ashpërsuar gjobat për të gjithë shkelësit e qarkullimit rrugor sidomos ato që konstatohen në zonat urbane.

Kreu i policisë rrugore në Tiranë tha se janë bërë propozimet konkrete, kjo sipas tij për të rritur sigurinë rrugore në qytet.

“Patjetër që kanë nevojë për ndryshime. Janë bërë propozimet tona me specialistët përkatës dhe ekspertët e jashtëm dhe ka nevojë për një serë ndryshimesh në veçanti të zonave ku ka një tejkalim të shpejtësisë dhe në zonat urbane ku ka një dinamikë tjetër të qarkullimit rrugor”, tha Besmir Qibini.

Shefi i rrugores së Tiranës shprehet se këto ndryshime vijnë pasi janë konstatuar shkelje të shumta nga drejtuesit e mjeteve si në tejkalimin e shpejtësisë, apo përdorimin e celularit, veçanërisht në zonat e populluara, apo në afërsi të shkollave.

“Duke parë një dinamikë tjetër patjetër që ka edhe propozime të reja për shkak të shkeljeve të konstatuara nga ana jonë të cilat si përdorimi I telefonin, apo mosrregullimi i shpejtësisë në zonat e banuara. Prandaj ka nevojë për ndryshime në Kodin Rrugor dhe për disa masa të tjera që ndikojnë në sigurinë rrugore”, shtoi Qibini.

Edhe pse janë bërë disa herë ndryshime në Kodin Rrugor, Qibini shprehet se duke parë dinamikën e aksidenteve dhe fluksit të mjeteve, duhen marrë masa për sensibilizimin e drejtuesve të mjeteve.

“Të bëhet një studim i mirëorganizuar, i mirëfilltë, duke parë njollat e zeza dhe problematikat. Ndryshimet e fundit kanë qënë më tepër për lehtësimin e qytetarëve në procedurë dhe në afate. Por ne po flasim për rregullat e sigurisë rrugore. Ato ndryshime ishin për masa të tjera, kurse për rregullat e sigurisë rrugore që janë determinante për aksidente me pasoja fatale mendoj që duhet të ketë ndryshime më të ashpra”, tha kreu i policisë rrugore në Tiranë.

Ndryshimet në Kodin Rrugor u paralajmëruan edhe nga ministri i Brendshëm Taulant Balla menjëherë pas ngjarjes së rëndë ku një automjet me shpëjtësi përplasi një efektiv policie teksa po kalonte vijat e bardha përpara Drejtorisë së Policisë në Durrës.