MENU
klinika

Diskutohet fati i kapitujve

Në Bruksel, samiti i liderëve të Bashkimit Evropian me ata të Ballkanit Perëndimor

13.12.2023 - 10:26

Në Bruksel sot do të zhvillohet samiti mes Ballkanit Perëndimor dhe krerëve të Bashkimit Europian. Për të marrë pjesë në këtë takim është nisur drejt kryeqytet belg dhe Kryeministri Rama.

Samiti i paraprin mbledhjes së Këshillit Europian, ku do të vendoset për fatin e hapjes së kapitujve të negocimit për vendin tonë. Deri tani, të gjitha vendet përveç Greqisë kanë aprovuar mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Greqia kërkon lejimin e betimit të Fredi Belerit si kryebashkiak në këmbim të votës pro. Vetë kryeministri në Kongresin e PS javën e shkuar tha se nuk do të ketë asnjë shqetësim nga ana e qeverisë shqiptare, pavarësisht se cili do të jetë vendimi për këtë çështje. Ai siguroi se qëndrimi për rastin “Beleri” nuk ndryshon duke përsëritur se kjo është një çështje që i takon vetëm drejtësisë.

Gjatë ditës së djeshme, Kryeministri Edi Rama publikoi një video ku tregohen dronët turq “Bayraktar”, që do të marrë Shqipërisë për Forcat e Armatosura.

“Kjo është pamja e dronëve ‘Bayraktar’, që shumë shpejt do të bëhen pjesë e Forcave tona të Armatosura, teknologjia më e lartë e fluturimeve që përdoren për misione ushtarake, policore dhe civile. Kompletimi i Shqipërisë me flotën e këtyre dronëve përbën rëndësi të veçantë në funksion të sigurisë sonë kombëtare dhe asaj të Aleancës, si respektim i detyrimeve që rrjedhin nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare, Strategjia Ushtarake dhe objektivat e Kapaciteteve të NATO-s. Të përkushtuar për të përdorur teknologjinë më të avancuar në mbrojtjen e territorit tonë”, – shkruan Kryeministri Rama në “Facebook”.