MENU
klinika

Dodik paraqitet në gjykatë me një ushtri avokatësh

Nis hetimi i “non gratave” në Ballkan pas thirrjeve të SHBA

06.12.2023 - 13:36

Pas konfirmimit të aktakuzës, e vetmja gjë që është e sigurt është se Gjykata e Bosnjë-Hercegovinës do të gjykojë sot Presidentin e Republikës Srpska Milorad Dodik dhe drejtorin e Gazetës Zyrtare të RS-së, Millosh Lukic. Nga të gjitha akuzat e mundshme që opozita, të huajt dhe Sarajeva i kanë bërë Dodik dhe bashkëpunëtorëve të tij, Dodik do të shkojë në gjykatë për mosbindje ndaj vendimeve të kreut të misionit ndërkombëtar, Christian Schmidt. Por ajo që vihet re është tmerri që e ka kapur presidentin e Republikës Srpska. Me vete ai do të ketë ditën e sotme një ushtri avokatësh. Këtë informacion e ka konfirmuar avokati i Dodikut, Goran Bubiç. Ai zbuloi se përveç tij, në sallën e gjyqit me Dodik do të jetë edhe Anto Nobilo, eksperti i njohur kroat në cilësinë e këshilltarit ligjor, për të cilin ka marrë miratimin me shkrim nga Gjykata. Përveç kësaj, Dodik sjell tre anëtarë të tjerë të ekipit të tij ligjor në Gjykatën e Bosnjë-Hercegovinës, të cilët do të regjistrohen si anëtarë të publikut. Seanca për rastin kundër Dodikut dhe Lukicit është mbajtur vetëm një herë deri më tani, më 16 tetor, kur Dodik duhej ta pranonte fajësinë.

Çfarë rrezikon Dodik?

Aktakuza akuzon Milorad Dodik dhe Millosh Lukiç për mosbindje ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë për Bosnjë dhe Hercegovinë (OHR). Për këtë vepër penale është paraparë dënimi prej gjysmë viti deri në pesë vjet burgim, edhe pse shumë tashmë besojnë se Dodik mund të dënohet me kusht, i cili do t’i lejonte të qëndronte i lirë, por ai nuk duhet të përsërisë veprën penale për të cilën ai tani është i akuzuar. Ngritja e padisë është rezultat i një përpjekjeje nga autoritetet e RS për të bllokuar zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BiH duke miratuar një ligj të posaçëm në parlamentin e njësisë gjatë qershorit. Ai ligj, i cili u miratua nga Asambleja Kombëtare e RS më 27 qershor, u anulua nga Schmidt disa ditë më vonë duke përdorur kompetencat e tij. Mirëpo, dekreti u botua në Gazetën Zyrtare dhe Millosh Lukic si ushtrues detyre i drejtorit e publikoi pas nënshkrimit të Dodikut.

SHBA kërkojnë hetimin e “non gratave”

Por Dodik nuk mund t’ia hedhë kaq kollaj, pasi ai është nën survejim dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pak javë më parë amerikanët iu kanë treguar sërish prangat të korruptuarve në Ballkan. Ambasadori i SHBA në Bosnje e Hercegovinë, Michael Murphy, ka bërë thirrje që autoritetet vendase të nisin hetimet për “non gratat”. Murphy ka thënë se shteti që ai përfaqëson do të vazhdojë që të vendosë sanksione ndaj aktorëve politikë që bëjnë veprime anti-Dejton (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995), dhe antidemokratike. “Sanksionet janë një mënyrë për t’i mbajtur individët ose bizneset përgjegjës për sjellje anti-Dejton dhe antidemokratike. Ne do të vazhdojmë ta përdorim atë”, ka thënë Murphy, pak kohë pasi që ShBA-të kanë sanksionuar fëmijët e Presidentit ultra-nacionalist të Republikës Srpska entiteti serb në BeH-Millorad Dodik edhe ky po ashtu i sanksionuar. Ai ka theksuar se interesi i SHBA-së është një BeH e begatë, paqësore, brenda institucioneve euroatlantike. Sipas diplomatit amerikan vendi i tij nuk dëshiron një konflikt të ri në BeH, “ndarje të reja apo probleme në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor”. “Kur vërejmë se politikanë apo parti apo aktorë të tjerë po punojnë kundër këtyre interesave, të cilat janë interesa të përbashkëta për ne dhe qytetarët e këtij vendi, ne reagojmë dhe e kemi shumë të qartë”, pohoi Murphy. Duke folur për zyrtarët në Ballkan, të cilët tashmë i janë nënshtruar sanksioneve amerikane, dhe vazhdojnë ende të mbajnë poste të larta dhe vazhdojnë të njëjtën politikë de-stabilizuese, ai vlerësoi se prokuroritë dhe gjykatat vendore duhet t’i mbajnë ata individë përgjegjës. Sipas tij, kjo nuk do të thotë se SHBA-të nuk do të veprojnë kur e gjykojnë të përshtatshme. “Kur të veprojmë, le të tregojmë shumë qartë se çfarë e motivoi veprimin tonë. Ne nuk duam t’i shohim këta njerëz në poste publike”, u shpreh ai. Duke folur për kërcënimet gjithnjë e më të shpeshta të Presidentit të RS Dodik ndaj sovranitetit të BeH, Murphy përsëriti se synimet e ShBA-së janë karakteri multietnik, sovraniteti dhe integriteti territorial i BeH.