Partia populiste e Presidentit serb Aleksandër Vuçiç fitoi zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale të mbajtura të dielën në Serbi, sipas rezultateve paraprake të komisionit zgjedhor.
Partia Progresive Serbe ka fituar 47 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare, ndërkohë që koalicioni opozitar Serbia Kundër Dhunës fitoi 23 për qind.
Por siç bën të ditur dhe raporti paraprak i OSBE janë konstatuar parregullsi të shumta.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 17 dhjetorit, ndonëse teknikisht të mirëadministruara dhe duke u ofruar votuesve një zgjedhje të alternativave politike, u dominuan nga përfshirja vendimtare e Presidentit, e cila së bashku me avantazhet sistematike të partisë në pushtet krijoi kushte të padrejta. Frekuenca e zgjedhjeve të parakohshme ka gërryer më tej besimin e publikut në funksionimin e institucioneve demokratike dhe së bashku me mungesën e politikës do të lërë të pa adresuara reformat e nevojshme. Në përgjithësi, liritë themelore u respektuan në fushatë, por ajo u dëmtua nga retorika e ashpër, paragjykimet në media, presioni ndaj punonjësve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike.
Organet mbikëqyrëse për fushatat dhe mediat elektronike mbetën kryesisht joefektive në parandalimin e shkeljeve gjatë periudhës zgjedhore. Ndërkohë që media mbuloi të gjithë garuesit në zgjedhje në përputhje me ligjin, shumicës së transmetuesve kombëtarë iu mungonte raportimi i mirëfilltë analitik, duke ia hequr aftësinë votuesve për të bërë një zgjedhje të informuar. Dita e zgjedhjeve u zhvillua pa probleme, por u shënua nga mangësi të shumta procedurale, duke përfshirë zbatimin e paqëndrueshëm të masave mbrojtëse gjatë votimit dhe numërimit, raste të shpeshta të mbipopullimit, shkelje të fshehtësisë së votës dhe raste të shumta të votimit në grup.
Disa çështje kyçe mbeten të pazgjidhura, duke përfshirë ato që lidhen me sigurimin e kushteve të barabarta, masat për të parandaluar keqpërdorimin e funksioneve publike dhe burimeve shtetërore, ndarjen midis funksioneve zyrtare dhe aktivitetet e fushatës dhe mekanizmat efektivë për të parandaluar frikësimin dhe presionin mbi votuesit, duke përfshirë blerjen e votave.
Listat e votuesve janë përditësuar përmes Regjistrit të Unifikuar të Votuesve (UVR) në bazë të komunave.
Sipas OSBE-së, këta faktorë krahas njëanshmërisë së mediave “krijuan një fushë të pabarabartë për garë.” Sipas raporteve, serbë nga Bosnja janë dërguar në mënyrë të organizuar me autobusë për të votuar në Beograd, rreth 40,000 dokumente identifikimi u janë lëshuar njerëzve që nuk jetojnë në kryeqytet, ndërkohë që në një qytet verior të Serbisë një ekip vëzhguesish është sulmuar dhe makina a tyre është goditur me shkopinj bejzbolli. Partia në pushtet është akuzuar se ka paguar votuesit apo ka bërë trysni mbi ta.
Presidenti Vuçiç dhe partia e tij i kanë mohuar akuzat.
Por sipas analistit politik Zoran Stojilkoviç, zoti Vuçiç ka krijuar një atmosferë të “shantazhit politik” duke paralajmëruar destabilizim politik nëse partia e tij nuk fiton zgjedhjet.
“Presidenti serb Vuçiç luajti rol të madh. Ai thjesht krijoi një atmosferë frike, duke bërë shantazh politik – duke thënë se nëse partia dhe koalicioni i tij nuk fitonte, atëherë ai nuk do të ishte president dhe banorët do të ishin përgjegjës për krizën politike që do të pasonte. Mbi këtë teori kërkoi përkrahje masive dhe e mori, i ndihmuar edhe nga qëndrimi shumë pasiv dhe hipokrit i Perëndimit zyrtar, për të cilët një ‘stabilo-krat’ në pushtet është shumë më i rëndësishëm se vlerat demokratike, dikë që mund ta kontrollojnë, që në teori e kanë në xhep – me një fjalë ‘është njeri i keq, por është i tyre.” tha zoti Stojilkoviç.