Ka përfunduar afati i dorëzimit të formularëve të vetëdeklarimit të rreth 13.500 punonjësve të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Gardës së Republikës, nëse kanë përdorur më herët aplikacionet “SkyECC” dhe “EncroChat”.
Formularët janë dorëzuar 6 ditë përpara përfundimit të afatit të fundit që ishte data 4 janar 2024.
Bëhet me dije se askush nga e gjithë struktura e policisë nuk ka pranuar të ketë pasur në përdorim aplikacionet që u lidhen me grupet kriminale.
Të gjithë formularët do t’i nënshtrohen një analizimi të plotë në vijim.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla firmosi më 3 Dhjetor urdhrin, i cili u kërkon të gjithë atyre që janë pjesë e strukturave të sigurisë të deklarojnë përdorimin e aplikacioneve në të shkuarën, nëse e kanë disponuar, shoqëruar me periudhën dhe arsyen e përdorimit.
Në fakt, çfarëdo lloj arsye të shkruanin policët për përdorimin e aplikacioneve “SkyECC” dhe “EncroChat” do t’iu kushtonte detyrën pasi do të përjashtoheshin menjëherë nga struktura.
Këto dy aplikacione komunikimi, në vetvete, gjatë kohës që kanë qenë në funksion, nuk kanë qenë të paligjshëm, përtej përdorimit të tyre nga grupet kriminale, i cili në fakt solli në vijimësi edhe rënien përfundimtare të tyre. Deri më tani, janë 3 dosje të SPAK ku ka të përfshirë policë që ose janë vetë ata në këto aplikacione ose diskutohet për ta.
E para ishte dosja e grupit të atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, e dyta ishte “Metamorfoza” ku u godit ish-kreu i Operacionales Oltion Bistri dhe së fundmi shefi i krimeve në Komisariatin nr. 6, Dedan Gjoni. SPAK, deri më tani, ka rreth 70 policë që po i heton, emrat e të cilave janë shfaqur në “SkyECC” dhe “EncroChat”.