Një përplasje me armë zjarri ka ndodhur në Burgun e Peqinit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thotë se në burgun e Peqinit ka pasur një konflikt mes tre të dënuarve me burgim të përjetshëm, ku për pasojë dy prej tyre kanë mbetur të plagosur.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve gjithashtu nënvizon se autoritetet po punojnë dhe se situata po menaxhohet. Gjithashtu sqarohet se nuk ka asnjë gardian, staf policor apo civil të lënduar.
I përfshirë në këtë ngjarje është i dënuar me burgim të përjetshëm Sokol Mjacaj, i cili u raportua se ka qëlluar me armë drejt një punonjësi të policisë. Më pas me armë ka mbajtur peng punonjësit e kuzhinës.
Ndërkohë po sot doli lajmi se Ministria e Drejtësisë ka urdhëruar vendosjen në regjimin e posaçëm “41 bis” për të.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh se do të zbatojë me rigorozitet ligjin për vendosjen në regjimin e posaçëm (41/b) për të gjithë ata të paraburgosur dhe të dënuar që cenojnë rendin dhe sigurinë, apo që vazhdojnë aktivitetin kriminal brenda i IEVP-ve.
“Asnjë tolerancë! Do të zbatoj me rigorizitet ligjin. Mesazhi im është i prerë: Të dënuarit që cënojnë sigurinë e institucionit apo që vazhdojnë aktivitetin kriminal do të përballen me pasojat, menjëherë në regjimin e posaçëm 41/b, pavarësisht emrit apo veprës për të cilën janë dënuar!” – tha Manja.
Sokol Mjaçaj është i dënuar përjetë për vrasjen e dy turistëve çekë, Michal Svatos dhe Anna Kusinova, më 3 korrik 2015 në fshatin Prekal të Dukagjinit. Mjacaj i grabiti e më pas i ekzekutoi me armë zjarri në automjetin e tyre.
Aktualisht në regjimin “41 biss” janë Alber Kupa, Viktor Ymeri, Aleksandër Llanaj, Arbër Çekaj, Fatmir Pjetri, Kelend Çala, Eldi Çala dhe Redjan Rraja.