MENU
klinika

Shkak sherri i çastit

Plagoset me armë një 33-vjeçar në Korçë

10.12.2023 - 11:38

Dy persona kanë mbetur të plagosur në Korçë, pas një sherri për motive të dobëta që ka nisur në ambientet e një lokali dhe më pas ka degjeneruar në përdorimin e armëve të zjarrit. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.3 të qytetit, ku për pasojë një 33-vjeçar u plagos në këmbë me armë zjarri, ndërsa një tjetër me sende të forta.

Sipas informacioneve të A2 CNN mësohet se personat e përfshirë në sherr kanë qenë të dehur, ndërsa sherri ka nisur pas një debati mes palëve, teksa njëri prej tyre i ka thënë tjetrit “pse s’më hap rrugën” në dalje të lokalit. Më pas, ata janë takuar jashtë dhe njëri prej tyre nxori armën dhe e ka plagosur 33-vjeçarin.

Policia ka shoqëruar në ambientin e Komisariatit dhe po merr në pyetje, persona të cilët kanë dijeni për ngjarjen. Po ashtu është bërë e mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje dhe po punohet intensivisht për kapjen e tyre.

NJOFTIMI I POLICISË:

Korçë: U konfliktuan për motive të dobëta, ku si pasojë e konfliktit mbeti i plagosur me armë zjarri një 33-vjeçar dhe u dëmtua me mjete të forta një shtetas tjetër, Policia identifikon menjëherë autorët e dyshuar të ngjarjes dhe vijon punën për kapjen e tyre.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lagjen nr. 3, Korçë, si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, midis disa personave, të nisur më herët në ambientet e një lokali dhe më pas jashtë ambienteve të tij, ka mbetur i plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasi Igli Hoti, 33 vjeç dhe i dëmtuar me mjete të forta shtetasi Artan Qershori, të cilët u dërguan për mjekim në spitalin e Traumës Tiranë.

Shërbimet e Policisë, kanë shoqëruar në ambientin e Komisariatit dhe po marrin në pyetje, persona të cilët kanë dijeni për ngjarjen. Si rezultat i veprimeve të para hetimore u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje dhe po punohet intensivisht për kapjen e tyre. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.