Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Odgovor” Boban Bogdanoviç ka kërkuar azil politik në Kosovë për shkak të Milan Radoiçiçit. Ish-hetuesi policor në veri, Murat Mehmeti njoftoi se ai ka kërkuar azil politik pasi është ndjerë i rrezikuar.
“Personin i cili ka ardhur nga Beogradi këtu në favor të zbardhjes së rastit. I njëjti person që ka kontribuar në zbardhjen e këtij rasti për vrasjen e Oliver Ivanoviçit është detyruar para pak ditësh të kërkojë azil. Ka kërkuar azil politik në Kosovë. Ai ka ardhur të dëshmojë në lidhje me rrjetin e personave të Radoiçiçit. Është njëfarë mjegullie, nuk e di interesin e tij konkret, nuk e di që ka pasur qëllim të krijojë mjegulli më shumë sesa që ka në dosje”, tha Mehmeti.
Milan Radoiçiç dhe Zvonko Veselinoviç dyshohen se kanë bashkëpunuar për vrasjen e Oliver Ivanoviçit.
Oliver Ivanoviç ka qenë lider i subjektit opozitar Iniciativa Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” i cili është vrarë para selisë së këtij subjekti në Mitrovicën e Veriut në janar të vitit 2018.
Në rastin për vrasjen e Ivanoviçit po gjykohen gjashtë persona, katër prej tyre ish-policë.
Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiç dhe Zvonko Veselinoviç, që bashkëpunuan në vrasjen e Oliver Ivanoviçit.
Sipas Prokurorisë, zyrtarët policorë Dragisha Markoviç dhe Zharko Jovanoviç, manipuluan provat.
Sipas aktakuzës, secili prej tyre kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviç.
Para pak ditësh, Prokuroria Speciale (PS) ka ngritur aktakuzë ndaj një personi në rastin e Oliver Ivanoviçit.