MENU
klinika

Nga Mero Baze

Pse Berisha po bën plane të kundërshtojë arrestimin?

19.12.2023 - 21:25

Sot Sali Berisha ka deklaruar se nuk do t’i bindet më drejtësisë, pas vendimit të SPAK për ta forcuar masën e sigurisë me arrestim, në burg, ose shtëpi.

Prej kur është shpallur masa e parë e sigurisë ndaj tij, ai në fakt e ka refuzuar drejtësinë, duke e quajtur masën antikushtetuese, por kur u kërkuar autorizim nga Kuvendi, ai premtoi se do t’i bindej drejtësisë dhe do pranonte masën e sigurisë arrest shtëpie, edhe pse kjo nuk ishte e përcaktuar në kërkesën e SPAK, në mënyrë specifike.

Sot ai ndryshoi mendje përsëri dhe ju kthye traditës së tij 33 vjeçare të mos përballjes me drejtësinë.

Ndryshimi i qëndrimit të tij, vjen një ditë pas dështimit të protestës para Kuvendit, kur merrej vendimi për heqjen e imunitetit. Duke shpresuar se do të trembte me turma njerëzish deputetët e Komisionit të Mandateve, Berisha ndoshta nuk e kishte menduar se do ngelte me kaq pak njerëz me vete, që nuk impresionojnë askënd.

Tani e vetmja mënyrë që të shpresojë se do të ngrejë moralin e njerëzve të vet, është të tentojë të bëjë kamikazin me organet e drejtësisë.

Skema e tij është e qartë. Ashtu siç veproi me mos respektimin e masës së sigurisë për detyrim paraqitje, ai do të fillojë të refuzojë pranimin e masës së re të sigurisë me arrest. Kështu shpreson të bëjë disa ditë politikë me të dhe të tregojë që nuk është një lider që dorëzohet.

Normalisht për masën e arrestit do shprehet Gjykata, dhe ajo mund të vendosi arrest shtëpie, ose arrest me burg, menjëherë pas seancës së ditës së enjte.

Për të shmangur arrestimin, Berisha po përpiqet të shfrytëzojë mitingun e së enjtes, që të viktimizohet dhe t’u thotë turmave, unë nuk i dorëzohem SPAK por juve, duke bërë thirrje ta shoqërojnë atë në selinë e SHQUP, ku dhe do të ngujohet.

Qëllimi është të mbajë të bllokuar selinë deri më datën 27 dhjetor, kur merret vendimi për vulën, që mos t’ia zërë selinë Partia Demokratike nëse fiton gjyqin, dhe nga ana tjetër ta kthejë SHQUP në një barrikadë nga ku mund të frymëzojë revolucionin.

Dështimi i ditës së hënë ishte i hidhur dhe ai ka vetëm një mënyrë që të ngrejë moralin e turmave të tij duke u viktimizuar dhe duke u futur në konflikt fizik me policinë, që do të kërkojë të zbatojë masën e sigurisë.

Ky është skenari ekstrem i tij për t’i ngritur moralin turmës së rralluar të tij, që nuk po e ndjek më pas.

Nuk është skenar shqetësues për rendin apo sigurinë publike, dhe as për drejtësinë, por është arma ekstreme që ai po përdor që dikujt në opozitë t’i vijë keq dhe për atë.

Është një përpjekje për të shkundur opozitën nga mosbindja civile, ndaj Sali Berishës.

Dhe kjo si çdo histori që tenton të përsëritet si heroizëm, do të përsëritet si komedi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin