Çfarë është “Maidan” dhe si Moska po investohet të mbajë Vuçiçin në pushtet…
“Maidani nuk do të ndodhë në Serbi” – ky është një nga reagimet e para të qeverisë kundër protestave të opozitës.
Ndërsa qytetarët dhe opozita kërkojnë anulimin e zgjedhjeve për shkak të parregullsive serioze të vërejtura nga vëzhguesit vendas dhe të huaj, qeveria dhe tabloidët proqeveritarë, krahasojnë edhe një herë protestat me Maidanin e Kievit, duke i akuzuar qytetarët për tentativë për grusht shteti, luftë civile dhe duke i etiketuar si tradhtarë.
Termi “revolucion me ngjyra” dhe Maidan i ri, janë përdorur prej vitesh për çdo protestë, si dhe për veprimet e opozitës dhe kritikëve të qeverisë në përgjithësi. Ky interpretim synon të delegjitimojë kërkesat e shprehura në këto protesta, duke ia atribuuar çdo gjë një komploti kundër Serbisë të organizuar nga jashtë.
Edhe protestat më masive pas të shtënave masive të majit u përshkruan në mediat pro-qeveritare dhe deklaratat e zyrtarëve të lartë shtetërorë, si një “revolucion me ngjyrë”.
Pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, në ditën e parë të protestave, tabloidet proqeveritare akuzuan Gjermaninë për ndërhyrje në zgjedhjet serbe, duke etiketuar të rinjtë pjesëmarrës në protestën jashtë Komisionit Republikan Zgjedhor (RIK) si agjentë gjermanë. Siç ishte raportuar më parë nga EWB, Deutsche Welle gjermane mohoi pretendimet e tabloidëve serbë për organizimin e protestave.
Për protestat që po organizohen nga jashtë ka folur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Edhe pse nuk specifikoi se për cilin shtet e kishte fjalën, ai tha se autoritetet shtetërore serbe po përgatisin një “letër të rëndësishme për ndikimin dhe ndërhyrjen e një vendi të rëndësishëm në procesin zgjedhor të Serbisë në mënyrën më brutale”.
Të dielën, ndërsa protestat po vazhdonin, kryeministri i Serbisë, në një dalje në emisionin “Hit tweet”, ka falënderuar shërbimet ruse për informimin e autoriteteve për protestën. “Mbi të gjitha, të dhënat na janë ofruar edhe nga shërbimi i sigurisë ruse. Kur personalisht e ndava këtë me disa ambasadorë, ata na akuzuan për përhapjen e dezinformatave, gënjeshtrave, se besojmë shërbimin rus dhe se e gjithë kjo është marrëzi”, tha ajo.
Paralajmërimet nga Rusia për një “Maidan të ri”
Në diskreditimin e protestave dhe narrativës se Perëndimi po destabilizon Serbinë, zyrtarët shtetërorë morën mbështetje nga zyrtarët rusë. Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, deklaroi se aktivistët “të mobilizuar nga struktura të ndryshme, të financuar dhe të kontrolluar nga jashtë”, luajtën një rol si nxitës të protestave.
Ambasadori rus në Beograd, Alexander Bocan Harčenko, gjithashtu deklaroi se Maidan nuk do të ketë sukses dhe vlerësoi shërbimin serb për reagimin “shumë efikas” ndaj përpjekjeve të skenarëve të tillë. Gazeta beogradase “Politiko” shkruan se “Moska ka ekspozuar planet e Perëndimit për Maidan në Beograd”.
Çfarë do të thotë në të vërtetë “Maidan”?
Termi “Maidan” përdoret për të përshkruar ngjarjet në Ukrainë në 2013 dhe 2014. Ukrainasit e quajnë gjithashtu Maidan, Revolucion të Dinjitetit.
Pakënaqësia e qytetarëve ukrainas në atë kohë u shkaktua nga vendimi i presidentit të atëhershëm ukrainas, Viktor Yanukovych, për të mos nënshkruar Marrëveshjen e Asociimit me BE-në. Ndryshe nga Yanukovych, i cili dëshironte lidhje më të ngushta me Moskën, të gjithë pjesëmarrësit në Maidan mbështetën bashkëpunimin e ngushtë me Evropën dhe dolën kundër anëtarësimit të Ukrainës në bashkimin doganor me Rusinë.
Qytetarët e udhëhequr nga liderët e opozitës u rebeluan në Sheshin e Pavarësisë (Maidan), dhe protestat zgjatën ditë e natë. Policia speciale e Ukrainës iu përgjigj protestave me arrestime masive dhe rrahje të qytetarëve. Një reagim i tillë nga autoritetet shkaktoi protesta edhe më masive dhe përshkallëzim të mëtejshëm. Epilogu i protestave që filluan në nëntor ndodhi në shkurt kur Yanukovych u dorëzua dhe nënshkroi një marrëveshje me partitë opozitare për të formuar një qeveri të unitetit kombëtar që do të mbante zgjedhje.
Megjithatë, Yanukovych iku në Rusi, e cila shpejt aneksoi Krimenë. Tetë vjet më vonë, Rusia pushtoi Ukrainën dhe konflikti vazhdoi.
Ndërsa Maidan do të thotë çlirim për ukrainasit, për Kremlinin, Maidan është një ngjarje në të cilën Perëndimi përmbysi autoritetet pro-ruse në këtë vend. Një pikëpamje e tillë e Kremlinit për këtë ngjarje është e pranishme në deklaratat e zyrtarëve të lartë nga Rusia dhe Serbia, si dhe tabloidet proqeveritare dhe partitë e djathta dhe proruse në Serbi, si “Zavetnici” dhe lëvizja e Branimir Nestoroviç, i cili do të jetë vendimtar për formimin e qeverisë në Beograd. Duke pretenduar se protestat organizohen “nga jashtë”, qeveria po përpiqet të diskreditojë protestat e qytetarëve dhe partive opozitare.