MENU
klinika

Po kthehet pranë niveleve më të larta historike

Punësimi në sektorin bankar në rritje për të katërtin vit radhazi

08.12.2023 - 10:58

Punësimi në sektorin bankar u rrit përsëri në tremujorin e tretë të vitit dhe po i afrohet tashmë nivelit më të lartë historik.

Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se në fund të muajit shtator bankat raportuan 6912 të punësuar, në rritje me 2.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shifrat tregojnë se punësimi në sektorin bankar është i orientuar drejt rritjes për të katërtin vit radhazi.

Punësimi në sektorin pati arritur nivelin më të lartë historik në vitin 2016, me afërsisht 7 mijë individë të punësuar. Në atë moment nisi cikli i shitblerjeve dhe i bashkimeve mes bankave tregtare, që solli shkurtimin e rreth vendeve të punës gjatë tre viteve në vazhdim.

Përqendrimi solli dublim të pozicioneve administrative, por edhe të rrjetit të degëve, çka çoi në mënyrë të paevitueshme shkurtim të vendeve të punës. Pjesërisht, punësimi u ndikua negativisht edhe nga frenimi i strategjisë së zgjerimit të rrjetit të degëve dhe fokusit të shtuar drejt automatizimit të shërbimeve.

Por, pasi konsolidimi i sektorit bankar e kaloi fazën kryesore, punësimi në sektorin bankar iu kthye rritjes, duke filluar nga viti 2020. Megjithëse numri i bankave është ulur pas vitit 2018 dhe tashmë ka zbritur në 11, bankat që kanë dalë nga procesi i konsolidimit janë më të shëndetshme, më konkurruese dhe me një fokus më të madh në zgjerimin e aktivitetit.

Pavarësisht tendencës disavjeçare për të ulur numrin e degëve dhe agjencive, punësimi në sektorin bankar është mbështetur nga ecuria pozitive e biznesit dhe nga zgjerimi i shërbimeve të bankingut në distancë.

Rritja e dixhitalizimit po sjell më pak nevojë për punonjës në degë, por ajo po kompensohet nga zgjerimi i stafeve të lidhura me shërbimet që mbështeten te teknologjia, si edhe rritja e punësimit në pozicionet administrative, duke ndjekur edhe një cikël të natyrshëm të rritjes së biznesit. Performanca e mirë financiare e sektorit në vitet e fundit dhe rezultatet fitimprurëse po mbështesin një rritje të vazhdueshme të punësimit.

Ndërkohë, në tremujorin e tretë edhe numri i degëve të bankave shënoi një rritje të lehtë, pas një tendencë disa vjeçare në rënie të vazhdueshme. Numri i degëve në fund të tremujorit të tretë u rrit në 384, një më shumë krahasuar me tremujorin e dytë.

Sipas të dhënave të INSTAT, sektori financiar ka pagën mesatare më të lartë në ekonomi. Për tremujorin II 2023, paga mesatare në sektorin financiar arriti nivelin rekord prej 149 mijë lekësh në muaj, në rritje vjetore me 14%. /MONITOR

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çmimet e larta/ Për herë të parë pas 11 vjetësh

Banka e Shqipërisë rrit normën bazë të interesit


Në 5 vite rindërtim, kostoja 920 mln €

‘Shkundja’ e tërmetit ende pasoja në buxhet!

"Do përballen me gjoba nëse nuk i deklarojnë deri më..."

Tatimet: 37 mijë biznese me risk për nëndeklarim pagash

Çfarë solli rritja e pagesave për punëtorët

Çmimi i vajit të ullirit arrin rekord këtë vit

"Ulet me 0.25 pikë përqindje norma bazë e interesit"

Guvernatori Sejko sqaron vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të BSH