Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në një shkrim mbi atë që ajo konsideron si rolin historik dhe politik të Sali Berishës, krahasoi arrestimin e ish kryeministrit me atë të liderit të opozitës në Rusi. “Edhe në Rusi e arrestojnë kreun e opozitës”, shkruajti e skandalizuar në titullin e editorialit të saj. Topalli shtiret sikur e ka harruar se akoma para se ta bënte Putini në Rusi, ka qenë pikërisht Sali Berisha që arrestoi në Shqipëri kreun e opozitës. Në momentin e arrestimit të urdhëruar nga doktori, ndërsa ishte i ulur në zyrën e Presidentit (urdhër i firmosur nga prokurori që sot është avokati i tij mbrojtës), Fatos Nano nuk ishte një kryetar opozite i vetëshpallur dhe pa parti, siç është sot Berisha, por kryetar i Partisë Socialiste në krye të detyrës dhe plotesisht legjitim. Berisha e arrestoi duke e mbyllur në një qeli sa më larg Tiranës, pa e lehtësuar as me arrest shtëpie dhe as me masa te tjera lehtësuese, dhe me prova totalisht te stisura. Fatos Nano e pranoi vendimin pa protestuar dhe pa premtuar një revolucion, aq më pak duke kërcënuar prokurorët e Berishës, edhe pse e konsideronte edhe ai veten absolutisht të pafajshëm.
Relativizimi i të vërtetës, deformimi i fakteve dhe gjykimi sipas një standardi të dyfishtë, është element dallues i berishizmit me të cilin edhe Jozefina Topalli mesa duket është reinfektuar. Në procesin e viktimizimit që Berisha po ushqen në këto javë duke e treguar veten një tip martiri i llojit Nelson Mandela apo një hero paqësor si Gandi, harron të shpjegojë se arrestimi i vendosur nga SPAK nuk i përket akuzave për korrupsion për të cilat është arrestuar dhëndrri i tij, por vetëm shkeljes së detyrim paraqitjes që është një masë kufizimi i lirive që të hetuar të tjerë po e përballojnë (më parë dhe pas tij), pa asnjë protestë dhe asnjë kundërshtim publik. Edhe ata e konsiderojnë veten të pafajshëm. Nëse Berisha do ta kishte respektuar atë vendim të gjykatës antikorrupsion për t’u paraqitur dy herë në muaj për 5 minuta për të firmosur në regjistrin e prezencave pranë SPAK, askush nuk do ta arrestonte dhe si politikan i lirë do të mund të vazhdonte të mbrohej nga çdo akuzë duke kundërshtuar në të gjitha shkallët institucionale atë vendim që e konsideron antikushtetues.
Ndaj, protagonisti i vërtetë në origjinën e arrestimit të Berishës nuk është SPAK, por vetë Berisha dhe bindja e tij e pakorrigjueshme se është personifikimi i Shtetit dhe se është përmbi çdo institucion tjetër. Berisha vazhdon ta identifikojë veten me opozitën dhe me logon e Partisë Demokratike, por kjo është një tjetër gënjeshtër për të lënë të kupohet se arrestimi i tij do të thotë arrestim i opozitës. Natyrisht që nuk është kështu. Kur e detyroi të izolohej per 4 vitet në një burg larg kryeqyteti dhe me asnjë lloj mundesi komunikimi publik, Berisha u gjend përballë një Fatos Nanoje më të fortë se kurrë dhe një opozite në dukje me kokë të prerë, por në fakt të aftë për ta mundur në zgjedhje. Pra, nëse Berisha mbtetet minorancë, nuk do të jetë për faj të akuzave te SPAK-ut, por vetëm se pas 32 vitesh gënjeshtra, shqiptarët nuk e besojnë më dhe nuk e votojnë. Berisha është nje politikan i humbur per fajin e tij dhe jo per shkak te Drejtesisë. Berisha, i fryrë nga një ego e pamasë, nuk e pranon idenë se ka mbetur një qytetar i thjeshtë me një histori pas krahëve dhe pa asnjë të ardhme politike, sot përkohësisht deputet, i cili, si çdo qytetar tjetër, duhet t’u përgjigjet rregullave të drejtësisë, edhe kur me gjasë, drejtësia gabon. Askush nuk e përjashton mundësinë që Berisha një ditë të mund të njihet si i pafajshëm për historinë e ish-klubit Partizani, por ky vendim i takon të jepet nga një gjykatë siç e parashikon Kushtetuta dhe jo nga një forme arkaike vetedrejtësie si Kanuni, me të cilin Berisha është rritur dhe pretendon të imponojë. Nuk mund të vetëshpallet Berisha si i pafajshëm, duke iu shmangur në këtë mënyrë rregullave të drejtësisë. Edhe ai si gjithë qytetarët e tjerë, duhet t’i përballojë edhe pse vazhdon të deklarohet i pafajshëm. Kështu do të thotë të jesh lider dhe burrë shteti. Siç u tregua Fatos Nano.
Sali Berisha nuk arrestohet sepse është qartësisht fajtor për korrupsion, por sepse me qartësi absolute ka shkelur detyrimin e paraqitjes të vendosur nga gjykata. Faji i tij është shumë më i vërtetueshëm se sa fajet e mijëra të paraburgosurve të tjerë (përfshi edhe dhjetëra ish-pushtetarë socialistë)në favor të të cilëve Berisha, si politikan, nuk ka shprehur asnjë formë proteste apo solidariteti. Pra edhe këtë herë vlen standarti i dyfishtë i berishizmit: Kushdo tjetër mund të arrestohet edhe para se të dënohet, madje dhe pa prova, përveç Sali Berishës dhe familjarëve të tij. Vetëm për ta duhet të vlejë imuniteti i përjetshëm.
Arrestimi i Sali Berishës nuk është një akt që në vetvete meriton festime. Edhe pse konsiderohem një viktimë e persekutimeve të tij prej të paktën 30 vitesh, nuk gëzohem ta shoh me pranga. Konferencën e fundit për shtyp para arrestimit e dedikoi për mua, sikur opozita të mos kishte argumente më tërëndësishme se unë për të trajtuar, me ato shpifje te zakonshme që tregon një obsesion paranojak të ushqyer nga urretja personale dhe nga pafuqia per t’u perballuar me faktet. Te pakten qe sot e tutje Rithemelimi ka shanse unike per te rifilluar luftën politike duke u fokusuar mbi aksione politike dhe jo mbi shpifje dhe të çliruar nga hakmarrja personale e familjes Berisha. Sali Berisha tani është i vetmuar.
Ajo që me kthen shpresën është se arrestimi i tij do të shënojë mbarimin e berishizmit dhe pandëshkueshmërinë që e ka karakterizuar për gati një çerek shekulli. Më në fund edhe Sali Berisha si dhe familjarët e tij jane bërë të barabartë me të tjerë përpara ligjit, dhe për këtë arsye duhet të falejderojmë kurajon e SPAK që vendosi të thyejë një tabu’ deri më sot të paprekshme. Me fundin e berishizmit nuk do të ketë më asnjë politikan tjetër në Shqipëri që mund të mburret se është imun para drejtësisë.
Ndonjë hipokrit do të qajë me lajmin e arrestimit të tij, por do të jenë të njëjtët lotë që shoqëruan funeralin e Enver Hoxhës. Shumë pak do të jenë ato të sinqerta. Analogjia me fatin e familjes Hoxha nuk i takon vetëm historisë së lotëve fallco, por edhe arsyet e arrestimit: Të shohësh Sali Berishën të akuzuar për një histori korrupsioni familjar duke e ditur se sa krime të tjera ka kryer dhe sa qindra të vrarë ka në ndërgjegjen e tij (para dhe pas 1997), është e krahasueshme me arrestimin e Nexhmije Hoxhës e dënuar se kishte pirë shumë kafe, dhe jo për genocid. Por edhe një super killer si Al Capone u dënua vetëm për evazion fiskal, dhe në fund të fundit, drejtësia është kështu gjithandej: Godet ku mundet dhe jo gjithnjë dënon për fajin më të rëndë. Është e rëndësishme që koha e drejtësisë të vijë. Për të gjithë.