MENU
klinika

Sipërmarrësit ngrejnë alarmin, i bëjnë thirrje qeverinë

Rënia e euros fut në krizë fasoneritë

11.12.2023 - 11:56

Fasoneritë po kalojnë një nga krizat më të forta, me të cilat janë përballur ndonjëherë përgjatë këtyre viteve që operojnë në tregun shqiptar dhe të huaj. Rënia e euros po e fut këtë sektor në kolaps, gjë që ka bërë që sipërmarrësit të kërkojnë mbështetje nga qeveria. Kështu që të goditur nga rënia dyshifrore e euros dhe e eksporteve, përfaqësues të industrisë fasone dhe manifakturave në rajonin Durrës-Krujë, u mblodhën për të diskutuar, këtë të shtunën, mbi situatën e rëndë dhe pasojat ekonomiko- sociale të saj. “Një fasoneri e vogël, që mban 50-60 veta në punë ka një shpenzim total rreth 5 milionë lekë të reja. Kur euro këmbehej me 120 lekë duheshin 40 mijë euro. Sot duhen 50 mijë euro. Unë kam humbje mujore 10 mijë euro, si mund të rikuperohen këto?”, është shprehur për mediat këtë fundjavë sipërmarrësi Agron Hyseni. Po ashtu, të njëjtën shqetësim ka ndarë edhe administratori. “5000 litra naftë dua në muaj, për transportin e Italisë, për autobusët dhe furgonët për punëtorët. Me 200 lekë nafta llogariteni vetë, tani që euro është 1 me 1”, është shprehur administratori i një fasonerie në Fushë-Krujë, Muharrem Hoçja.

Rënia e eksporteve
Ndërkohë largimi i shumë markave të huaja drejt tregjeve të reja dhe shkurtimi drastik i vendeve të punës është një fenomen që vijon prej muajsh dhe kjo është pasuar me rënien e ndjeshme të eksporteve “Made in Albania”. Porositë në këtë sektor kanë një rënie nga 20-30 përqind. “Sektori i manifakturës (veshje dhe këpucë) është në kolaps të thellë. Shumë vende pune po humbasin, shumë brand-e të huaja po largohen nga Shqipëria dhe është turp të themi që të mbyllet me një të fikur të butonit një sektor i tillë. Në fund të ditës do të jetë e vështirë që këto njerëz të përthithen nga sektorë të tjerë”, është shprehur kryetari i shoqatës “Proexport Albania”, Edvin Prençe.

Kërkesat për qeverinë
Sakaq teksa ishin mbledhur paraditen e së shtunës për të diskutuar problematikat e sektorit të tyre, bizneset fasone të këpucëve dhe veshjeve kërkojnë nga qeveria uljen në tryezën e bisedimeve, për të gjetur zgjidhje konkrete. Kërkesat e tyre janë të qarta dhe, nëse nuk dëgjohen, fasonët shqiptarë rrezikojnë të zhvendosin aktivitetin në tregje jashtë vendit. “Ne kërkojmë nga qeveria vetëm euron dhe naftën. Kam 1.5 milion euro makineri. Do bëhem edhe unë si italianët, do dal në Tunizi apo Egjipt të punoj, sepse jam interesuar dhe atje rrogat janë 150 euro, më leverdis të shkoj atje”, nënvizoi administrator i një fasonerie në Fushë-Krujë, Muharrem Hoçja. Më tej edhe sipërmarrësi Hyseni adresojë thirrje ndaj qeverisë. “Nëse për shtetin nuk është më i leverdisshëm një biznes si i joni, sepse ka biznese të tjera më interesante në atë moment ne do ta kuptojmë që s’mund të bëjmë asnjë lloj lufte me askënd”, tha sipërmarrësi fason Agron Hyseni. Ndërkaq, zoti Prençi u shpreh i shqetësuar që qeveria e veçanërisht Ministra e Financave nuk e ka vënë ujin në zjarr’ sa i takon kërkesave të tyre. “Ministria e Financave për fat të keq akoma nuk ka një reagim për një tavolinë dialogu, që është shumë e rëndësishme për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të gjitha palët për të mos humbur këto vende pune e për të mos fikur makineritë prodhuese”, nënvizoi kryetari i shoqatës “Proexport Albania”, Edvin Prençe. Kujtojmë se rreth 840 biznese në të gjithë Shqipërinë me mbi 75 mijë të punësuar operojnë në sektorin fason. Vetëm në Durrës ka rreth 170 fasoneri me një mesatare prej 70-80 punonjësish. Sektori fason zë 40 përqind të eksporteve në vend, duke qenë një nga sektorët më të rëndësishëm të industrisë prodhuese.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


BIRN: punonjësit vazhdojnë të transportohen në autobusë të tejmbushur

“Fasoneritë, epiqendra e paralajmëruar e epidemisë së COVID-19”