MENU
klinika

Importohet më shumë në sasi

Sa miell blejmë nga të huajt?

16.12.2023 - 09:36

Përgjatë këtij viti vendi ynë ka rritur importin e miellit nga jashtë, ku peshën kryesore e zë mielli i grurit. Ky fenomen ka ndodhur pavarësisht ofertës së konsiderueshme nga kompanitë në vend, të cilat blejnë grurë dhe e kthejnë atë në miell.

Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, të siguruara nga SCAN TV, tregojnë se deri në nëntor 2022 janë importuar 20.8 mijë tonë miell me vlerë 1.4 miliardë lekë apo 14 milionë dollarë. Ndërsa gjatë këtij vitit, për të njëjtën periudhë, importi i këtij produkti regjistrohet në 22 mijë ton me vlerë prej 1.18 miliardë lekë. E thënë ndryshe, duket se çmimi favorshëm dhe konkurrues i ofruar nga jashtë ka bërë që të rritet sasia e blerë dhe rrjedhimisht ajo që tregtohet në markete shqiptare. Dhe rritja e sasisë është tregues edhe i kërkesës konsumatorë për këtë produkt.

Pavarësisht fushatës që u ndërmor nga Ministria e Bujqësisë për kultivimin e grurit në vend,  produkti i prodhuar nga fermerët shqiptar nuk ka qenë shumë i preferuar për kompanitë për shkak se është konsideruar jocilësor si rrjedhojë e shirave të shumta të sezonit. Nga ana tjetër çmimi që kërkonin fermerët në raport me çmimin në bursa është konsideruar i lartë nga grumbulluesit, të cilët nuk u treguan shumë të interesuar për të blerë prodhim vendas.

Subvencionet e dhëna për kulitivimin e grurit në vendet e rajonit bëjnë që kostot e prodhimit të jenë më të lira dhe si rrjedhojë edhe produkti final në shitje, çka sjell konkurrencë  për fermerët dhe për kompanitë vendase të prodhimit të miellit.

Elisabeta Dosku/ SCAN