Serbia ka marrë vendimin që nga 1 janari të mundësojë lëvizjen e lirë e të gjitha veturave me targa nga Kosova në gjithë territorin serb.
Këtë e ka bërë të ditur Petar Petkoviç, drejtor i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, sipas mediave në Kosovë.
“Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara në Kosovë për të marrë pjesë në komunikacion bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes dhe nuk mund të interpretohet si njohje apo shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga të drejtat e garantuara me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftimin e qeverisë serbe.
Petkoviç shtoi se në këtë mënyrë qeveria e tij ka mbrojtur të drejtat e serbëve në Kosovë duke mundësuar lirinë e lëvizjes.