Në vendin e Aleksandër Vulin si kreu i shërbimit sekret në Serbi është emëruar Tomislav Radovanoviç, ish-shefi i Shërbimit për Metodat Speciale të Hetimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ai njihet për lidhjet e ngushta me presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Radovanoviç ka qenë pjesëtar i MPB-së së Serbisë, ndërsa për shumë vite ka qenë komandant i Njësisë për Intervenim të Policisë së Beogradit. Ai është i pëlqyer dhe nga amerikanët pasi ka menaxhuar një fond të financuar nga SHBA-të si pjesë e programit të risocializimit të ish të burgosurve të burgut famëkeq në bazën ushtarake amerikane në Kubë. Mirëpo, thuhet se pikërisht kjo “lidhje me SHBA” ka qenë çelësi i përzgjedhjes së Radovanoviçit, i cili duhet të kënaqë amerikanët, pra të krijojë përshtypjen se kreu i BIA-s nuk është më rus, por një njeri që bashkëpunon me amerikanët. Kjo është sërish, sipas disa analistëve, loja e parashikueshme ballkanike e Vuçiçit. Tom Guantanamo ishte ish-shefi i Shërbimit për Metodat Speciale të Hetimit të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, por rekomandimi i tij më i mirë për atë pozicion, si Vulin, është afërsia me presidentin Vuçiç. Radovanoviç u shkarkua nga kjo pozitë në fillim të këtij viti dhe u transferua në BIA.
Shef i Brigadës së Ndërhyrjes
Tomislav Radovanoviç ishte edhe shef i Brigadës Intervenuese të MPB-së së Beogradit dhe pjesë e ekipit më të afërt të Dijana Hrkalovicit, ish-sekretare e shtetit në MPB, problematike dhe intriguese, kur në krye të Ministrisë ishte kontroversi Nebojsha Stefanoviq. Kujtojmë se Dijana Hrkalovic u arrestua dhe dyshohej për bashkëpunim me krimin e organizuar, përkatësisht grupin e Veljko Belivuk, i njohur si Velja Nevolja, i cili po gjykohet në Beograd. Sipas disa raporteve, grupi i tij kriminal “ka punuar për Vuçiçin dhe regjimin”. Dijana Hrkalovic, pasi kaloi disa muaj në paraburgim, më vonë u bë e penduara kryesore. Sipas portalit serb hulumtues KRIK, siç raportohet nga mediat e regjimit, Radovanoviç ka përdorur shumë biseda të incizuara si kapital që e ka siguruar që ai të jetë një nga favoritët për postin e drejtorit të policisë deri në fund të vitit 2021. Ai është i njohur për publikun për faktin se dy vite më parë (2021) ishte i ftuar në TV Prva pro regjimit, ku tha se në MPB-në e Serbisë kishte një strukturë paralele që përgjonte presidentin Aleksandar Vuçiç. Kjo në mes të aferës Jovanjic, kur u zbulua se nën kujdesin e shtetit, në një serë afër Stara Pazovës, ishte plantacioni më i madh i marijuanës në Evropë, siç shkruan media e pavarur e Beogradit të asaj kohe, kjo ishte e lidhur pikërisht me njerëzit nga afërsia dhe familjet e Vuçiçit. Bëhet fjalë për skandalin e dyshuar të përgjimeve të presidentit serb, vëllait të tij Andrej dhe djalit Danilo.
Përgjimi i Vuçiqit
Në shkurt të këtij viti, NIN shkruante se vetë Vuçiç kishte thënë se “Radovanoviç i zbuloi se po përgjohej”. Vuçiç më pas, shkruan NIN, deklaroi se “nuk e besoi menjëherë sepse nuk donte të shfaqej paranojak”. Po ashtu, me rëndësi është edhe koha e përzgjedhjes së një personi besnik të Vuçiçit për postin e shefit të BIA-s, sepse në fund të javës së ardhshme në Serbi po mbahen zgjedhje shumë të rëndësishme parlamentare dhe sipas disa sinjaleve, opozita mund të marrë një rezultat të rëndësishëm në to. Gjithashtu mediat shkruajnë se ka spekulime se Radovanovic ka përgjuar gjeneralin e policisë Slobodan Maleshiç, me qëllim që ta largojë atë si konkurrent të mundshëm për postin e komisarit të policisë”. Portali i Podgoricës Analitika shkruan se Radovanovic ka qenë një kohë në Francë si “atashe policor”. Sido që të jetë, BIA drejtohej nga një njeri jo më pak i diskutueshëm se Vulin dhe emërimi i tij vetëm sa konfirmon “thashethemet” se shërbimi sekret është tërësisht në shërbim të Vuçiçit dhe regjimit të tij. Radovanoviç u vendos në krye të BIA-s pasi Aleksandër Vulin, paraardhësi i tij në këtë pozitë, i sanksionuar nga SHBA, dha dorëheqjen më 3 nëntor të këtij viti.