MENU
klinika

Po analizon pamjet e kamerave të sigurisë

SHISH, hetime intensive për aksidentin e makinës së gjyqtares që do vendosë për arrestin e Berishës

23.12.2023 - 18:12

Orë intensive hetimesh dhe verifikimesh pati në Policinë e Tiranës mbrëmjen e kaluar, pasi rreth orës 21:00 në zonën e ‘unazës jugore’ të kryeqytetit, u përfshi në një aksident mjeti i Gardës që shoqëronte familjen e gjyqtares Irena Gjoka, e cila prej 20 tetorit, kur dha masën detyrim paraqitje për ish- kryeministrin është në mbrojtje të përforcuar.

Mjeti i Gardës që drejtohej nga Isidor Hoti u përplas nga një mjet “Benz”, i cili po ashtu drejtohej nga një punonjës policie i Drejtorisë së Elbasanit, Ardian Disha. Shkak për aksidentin dyshohet se është mosmoderimi i shpejtësisë dhe prania e vatrave të ujit në rrugë, çka bëri që mjeti benz humbi drejtimin dhe përplasi nga pas mjetin e gardës. Për shkak të forcës goditëse mjeti i gardës u përplas me trafik-ndarësen mes karrexhatave.

Çështja po ndiqet administrativisht nga ana e Policisë Rrugore, e cila ka ndëshkuar me gjobë shkaktarin e këtij aksidenti, punonjësin e policisë Ardjan Disha, si edhe i sekuestruan mjetin “benz” për mungesë dokumentacioni, pasi rezultoi i ç’doganuar, por nuk ishte pajisur me targa shqiptare.

Që në momentin e parë drejtuesve të të dy mjeteve u është bërë kontrolli për alkool dhe u ka rezultuar negative. Për të saktësuar dinamikën në terren janë bërë matje si edhe janë sekuestruar pamje të kamerave të sigurisë. Sipas dëshmive të gardistëve mjeti benz ka qenë pas tyre që nga Rinasi deri tek vendi i aksidentit. Ata e kanë sinjalizuar për të mos e ndjekur eskortën por kjo nuk ka ndodhur. Deri më tani të dhënat flasin për një aksident, por gjithsesi Shërbimi Informativ Shtetëror dhe policia po vlerësojnë situatën për shkak të përfshirjes në këtë ngjarje, të familjes së gjyqtares Irena Gjoka.