MENU
klinika

Raporti i bujshëm për Kosovën

Shpiku “Shtëpinë e verdhë”, ndahet nga jeta Dick Marty

28.12.2023 - 18:29

Dick Marty, ish-prokurori që “nxiu” Kosovën sa i takon luftës me Serbinë është ndarë sot nga jeta. Ai njihet si personi që hartoi një raport komprometues sa i takon krimeve të pretenduara të luftës në Kosovë, duke shpikur madje dhe historinë e “Shtëpisë së verdhë”, duke pretenduar se atje bëheshin trafiqe organesh.

Mbi bazën e raporti i tij për Kosovën në vitin 2011, si hetues special për Këshillin e Evropës që kishte pretenduar për trafikim të organeve, duke përfshirë UÇK-në,u themelua Gjykata Speciale në Hagë nga Kuvendi i Kosovës disa vjet më vonë. Sot, bazuar mbi këtë raport, vijojnë betejën në Hagë prej më shumë se 2 vitesh ish-drejtuesi i UÇK, ish presidenti Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Mësohet se ai ka vdekur sot në moshën 78-vjeçare, konfirmoi partia e tij.

Dick Marty ishte politikan zviceran i “Liberalëve” dhe ish-prokuror i shtetit në kantonin e Ticinos. Ai ka lindur më 7 janar të vitit 1945 dhe është bërë i njohur si anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Ai mban doktoraturë në juridik nga Universiteti i Neuchatelit. Ka punuar në Institutin e njohur Max Planck për Ligjin e Huaj dhe Ndërkombëtar në Freiburg të Gjermanisë.

Si prokuror shtetëror në Ticino, ai njihej për aktivitetet energjike në luftën kundër krimit të organizuar dhe abuzimit me drogë. Për arritjet e tij në këtë fushë, ai mori Çmimin e Nderit të Departamentit të ShBA-së për Drejtësi dhe çmime të tjera.

Në vitin 1998 ai u emërua anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku u bë pjesë e Komitetit Monitorues.

Në vitin 2005, Marty ishte emëruar si udhëheqës i hetimeve nga Këshilli i Evropës për të pretenduarat burgje sekrete të CIA-s në Evropë, e të cilat do të ishin të paligjshme. Në qershor të vitit 2006 ai hartoi raportin e tij duke dhënë konkludimin që tregonte se katërmbëdhjetë shtete evropiane kishin ndihmuar në kryerjen e abuzimeve të tilla. Ai më pas ka publikuar edhe një raport të dytë për çështjen ku mbështeste të gjeturat e kaluara.

Më 14 dhjetor të 2010-s, Marty publikoi një raport ku pretendohej për trajtime çnjerëzore të njerëzve dhe për vrasjen e të burgosurve me qëllim heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve në Kosovë, ku përfshihej Hashim Thaçi, lider politik i atëhershëm i UÇK-së dhe president aktual i vendit.

Liderët politikë në Kosovë reaguan fuqishëm kundër këtij raporti duke e quajtur “të motivuar politikisht”.