Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot nen për nen dhe në tërësi projektbuxhetin e vitit 2024 dhe projektligjet e paketës fiskale që e shoqërojnë atë.
Buxheti i vitit 2024 parashikon 737.4 miliardë lekë shpenzime publike ose 30.3% e Produktit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që të ardhurat buxhetore planifikohen në masën 676 miliardë lekë ose 27.8% të Produktit të Brendshëm Bruto.
Deficiti buxhetor për vitin 2024 planifikohet në nivelin 2.5% të Produktit të Brendshëm Bruto dhe Borxhi Publik do të zbresë poshtë nivelit 60% të PBB-së.
Shpenzimet e Personelit parashikohen në nivelin 119.8 miliardë lekë, duke përfshirë dhe fondin që do të shërbejë për rritjen e pagave në administratën publike, duke nisur nga 1 korriku 2024. Efekti i plotë i rritjes së pagave është 39.1 miliardë lekë, duke filluar nga 1 janari 2025.
Buxheti 2024 për skemën e pensioneve do të financojë rreth 185.8 miliardë lekë, duke siguruar fondet e nevojshme për indeksimin e pensioneve si dhe bonusin e përvitshëm për pensionistët.
Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë 5.3% e Produktit të Brendshëm Bruto, ose 128.5 miliardë lekë, duke u fokusuar në projektet që mbështesin turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin.
Sektori i arsimit do të financohet në total me 78.8 miliardë lekë ose 3.2% e Produktit të Brendshëm Bruto.
Sektori i Shëndetësisë do të financohet me rreth 72.2 miliardë lekë në vitin 2024 ose 3% e Produktit të Brendshëm Bruto.
Sektori i infrastrukturës dhe energjisë do të mbështetet me 52.7 miliardë lekë ose rreth 2.2% e Produktit të Brendshëm Bruto.
Për sektorin e mbrojtjes janë alokuar 2% të Produktit të Brendshëm Bruto, duke arritur për herë të parë objektivin lidhur me angazhimet e marra në kuadër të NATO-s.
Buxheti 2024 mbështet më tej reformën në drejtësi, duke alokuar 26.8 miliardë lekë për këtë sektor, 4.8 miliardë lekë më shumë krahasuar me buxhetin e vitit 2023.
Sa i përket Buxhetit Vendor, shpenzimet për këtë nivel qeverisje për vitin 2024, janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10.4% në raport me Buxhetin e vitit 2023.
Buxheti i vitit 2024 shoqërohet me një Paketë Fiskale, e cila synon qëndrueshmëri të legjislacionit dhe politikës fiskale, duke mos ndërmarrë masa të ndjeshme fiskale, por duke vendosur theksin tek mirëadministrimi fiskal. \Monitor\