MENU
klinika

Plani për t’i mbushur me ujë deti

Si do t’i shkatërrojë Izraeli tunelet e Hamasit?

07.12.2023 - 08:30

Izraeli ka bërë gati plane për t’i mbushur me ujë tunelet e Hamasit nën Rripin e Gazës. Uji do të merret nga Deti Mesdhe, sipas një raportimi të gazetës së njohur amerikane, “The Wall Street Journal”. Duke cituar zyrtarë amerikanë, në raportim thuhet se Forcat e Mbrojtjes të Izraelit muajin e kaluar vendosën pesë pompa të mëdha uji afër kampit të refugjatëve “Al-Shati” në qytetin Gaza, të cilat mund ta mbushin me ujë rrjetin e tuneleve brenda javëve përmes pompimit të mijëra metrave kub ujë në orë në tunele. Zyrtarët thonë se Izraeli i njoftoi Shtetet e Bashkuara për këtë plan muajin e kaluar, por se ende nuk ka vendosur që ta zbatojë atë. Sipas raportimit, mendimet në administratën e presidentit Biden ishin të përziera. Disa zyrtarë kanë shprehur shqetësim për këtë plan të Izraelit, ndërsa disa të tjerë kanë thënë se i përkrahin përpjekjet e Izraelit për t’i shkatërruar tunelet. Në mesin e shqetësimeve të përmendura në raportimin e gazetës amerikane është dëmi i mundshëm ndaj shtresës tokësore, nëse uji i detit dhe lëndët e rrezikshme në tunele depërtojnë më thellë në tokë. “Nuk jemi të sigurt se sa i suksesshëm do të jetë pompimi i ujit, sepse askush nuk i di hollësitë e tuneleve dhe të tokës përreth tyre”, citohet të ketë thënë një person i afërt me këtë plan. “Është e pamundshme të dihet nëse kjo do të jetë efektive, sepse nuk dimë se sa ujë do të kullohet në tunelet ku askush nuk ka qenë më parë”- shtoi ky person.

Spiunët ndihmuan Hamasin për sulmin e 7 tetorit

Nga ana tjetër është zbuluar se Hamasi planifikoi sulmin masiv të 7 tetorit për vite me radhë, duke hartuar harta të detajuara me ndihmën e spiunëve brenda Izraelit. Në këtë konkluduan forcat e armatosura izraelite pas ekzaminimit të një numri të madh telefonash, fletoresh dhe dokumentesh të sekuestruara nga terroristët, si në fushën e betejës ashtu edhe në Gaza. Midis dokumenteve të gjetura, kishte një hartë shumë të detajuar të një baze ushtarake izraelite që nuk mund të ishte përpiluar pa “njohuri të brendshme”, thuajse me siguri një spiun i Hamasit, tha një burim i inteligjencës shtetërore hebraike, i cituar nga Guardian. Në fushën e betejës, Izraeli hap një front të ri jugor në inkursionin e tij në Gaza, por mbetet larg arritjes së objektivit të deklaruar ushtarak: shkatërrimin total të Hamasit. Kjo shpjegohet nga një artikull i “Ëashington Post”, i cili analizoi skenarin duke marrë në konsideratë 4 fronte kryesore: territoret, ushtarët, tunelet dhe raketat. Sipas zyrtarëve izraelitë të sigurisë, të paktën 5,000 militantë të Hamasit janë vrarë, duke lënë të paprekur pjesën më të madhe të krahut të saj ushtarak, të vlerësuar në 30,000. Zyrtarët izraelitë folën për The Washington Post në kushte anonimiteti për të diskutuar operacionet ushtarake në vazhdim dhe detajet që nuk janë bërë publike. Operacionet në veri nuk do të kishin përfunduar. Megjithëse pjesa më e madhe e qytetit të Gazës është rrafshuar nga sulmet ajrore, forcat tokësore ende nuk kanë hyrë në disa nga bastionet kryesore të Hamasit. “Do të jetë një punë e gjatë,” tha nënkoloneli Richard Hecht, zëdhënës i ushtrisë izraelite, “ne kemi nevojë për kohë.” Presioni ndërkombëtar për të minimizuar vdekjet e civilëve ka të ngjarë të ndikojë në ritmin e operacioneve në jug, pasi Izraeli kërkon të mbajë mbështetjen nga mbështetësi i tij kryesor, Shtetet e Bashkuara.

Kaosi

Teksa kanë kaluar nëntë javë nga lufta Izrael-Hamas, po shfaqen shenja të prishjes së rendit shoqëror, me raporte për grabitje nga njerëzit që luftojnë për të mbijetuar. Që nga 9 tetori, Izraeli ka bllokuar aksesin në ujë, ushqim dhe energji elektrike në Rripin që është shtëpia e më shumë se 2 milionë palestinezëve. Më shumë se 15,899 njerëz janë vrarë në Gaza që kur Izraeli filloi fushatën e tij atje, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza të kontrolluar nga Hamasi. E gjithë popullsia e Gazës ka nevojë për ndihmë ushqimore, sipas Programit Botëror të Ushqimit (ËFP), duke shtuar se në fillim të krizës aktuale, organizata e ndihmës funksiononte me 23 furra buke.