MENU
klinika

"Non gratat” në Ballkan në luftë me drejtësinë

Taktikat që po përdor lideri serb i Bosnjës për t’i shpëtuar prangave

21.12.2023 - 11:11

Amerikanët duken të vendosur për të luftuar të korruptuarit, të inkriminuarit dhe personat që përpiqen të minojnë demokracitë në vende të ndryshme të botës, përfshirë Ballkanin. Për të minimizuar këto fenomene dhe për t’iu dhënë një goditje të fortë kësaj kategorie njerëzish, SHBA përmes Departamenti Amerikan të Shtetit ka aplikuar masa radikale, sikundër është shpallja “non grata”. Jo vetëm kaq pasi tani për këta personazhe të korruptuar ka filluar faza e dytë, ajo e përballjes me drejtësinë. Ashtu si Sali Berisha po kërcënon drejtësinë dhe nuk po i bindet, të njëjtën gjë po vepron dhe Milorad Dodik. Fillimi i gjyqit të liderit serb të Bosnjës Milorad Dodik para Gjykatës së Bosnjë-Hercegovinës në Sarajevë u shty sërish ditën e djeshme për arsye procedurale pasi mbrojtja kërkoi përjashtimin e të gjithë anëtarëve të ekipit të akuzës, për të cilët pretendon se janë të njëanshëm. Gjykata e Shtetit kishte refuzuar më parë kërkesat e mbrojtjes së Dodikut për t’ia lënë gjykimin gjykatës lokale në Banja Luka, por mbrojtja vazhdon të insistojë se Dodik nuk mund të ketë një gjykim të drejtë në Sarajevë. Gjyqtari Mirsad Strika vendosi të shtyjë fillimin e seancës kryesore deri në marrjen e vendimit për kundërshtimet e avokatëve, që pritet deri më 10 janar. Dodik e shfrytëzoi qëndrimin në sallën e gjyqit për të provokuar sërish duke refuzuar të ngrihej në këmbë kur duhej të fliste, ndaj gjyqtari Strika as nuk e lejoi këtë duke thënë se askush nuk është mbi ligjin. Dodik u prit sërish para selisë së gjykatës në Sarajevë nga dhjetëra mbështetës të tij. Pas daljes nga salla e gjyqit, Dodik, nga ana tjetër, ka mbajtur një fjalim konfuz para gazetarëve për tema të ndryshme, duke thënë se bëhet fjalë për procesin politik që po zhvillohej ndaj tij. Ndër të tjera, ai bëri të ditur se nuk do të lejojë vendosjen e ndryshimeve në ligjin zgjedhor, të cilat u njoftuan nga Përfaqësuesi i Lartë Christian Schmidt të martën. Nëse kjo ndodh, kërcënoi Dodik, RS do të miratojë ligjin e vet mbi zgjedhjet dhe do t’i zbatojë ato në territorin e saj. Ai shfrytëzoi rastin për të sulmuar sërish Schmidt-in, për të cilin ai pretendon se nuk ishte zgjedhur ligjërisht në atë post si dhe sulmoi ambasadorin amerikan Michael Murphy, të cilin e quajti gënjeshtar. “E ndjej presionin e kësaj ere të keqe”, tha Dodik.

Dodik shqetëson Europën

Pak ditë më parë ai sulmoi sërish ndërkombëtarët. Sa i përket presioneve nga Perëndimi, ai vlerësoi se situata në atë vend është e ngjashme me atë në Srpska dhe se e gjithë bota ortodokse është në shënjestër të Perëndimit kolektiv dhe se Evropa gjithnjë e më shumë është nën kontrollin e Amerikës. Dodik tha për televizionin RTR-Bjellorusi se i intereson opinioni i njerëzve që takohet çdo ditë, të cilët janë mirënjohës për politikën që ai drejton dhe jo për mendimin e disa burokratëve nga Brukseli dhe Amerika e largët, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me realitetin dhe kërcënojnë ekzistencën e Republika Srpska. Kushdo që nuk është gati të zbatojë rregullat e tyre është në anën tjetër për Brukselin dhe Amerikën, tha Presidenti Milorad Dodik në një intervistë për televizionin bjellorus. Ai theksoi se për këtë vuajnë të gjithë ata që duan të veprojnë në përputhje me interesat e tyre dhe të drejtën ndërkombëtare, gjë që, siç thotë ai, e shohim në shembujt e Rusisë dhe Bjellorusisë. Pavarësisht presioneve dhe ndalimeve dhe për sa kohë që populli e mbështet, Dodik thotë se do të vazhdojë ta udhëheqë këtë politikë. “Vullneti i popullit, të cilin e takoj çdo ditë, që më është mirënjohës për politikën që drejtoj, është më i rëndësishëm për mua sesa mendimi i disa burokratëve nga Brukseli dhe Amerika, që nuk kanë lidhje me realitetin dhe që zbatojnë. disa nga axhendat e tyre politike. Të cilat në thelb janë antiserbe dhe rrezikojnë vetë ekzistencën e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila trajtohet si marrëveshje ndërkombëtare dhe rrezikojnë vetë Republikën Srpska dhe mbijetesën e saj”, tha Dodik.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë shkruan media e njohur bavareze?

“Faktor jostabiliteti është Serbia, Merkel gaboi”

“Moska dha miliona edhe për Shqipërinë”

‘Pobjeda’ e Malit të Zi: Sali Berisha, pikë kontakti e Rusisë