Si të mos mjaftonin luftërat që vazhdojnë me të njëjtin intensitet, mes Rusisë dhe Ukrainës në Evropë dhe Izraelit dhe Hamasit në Lindjen e Mesme, një “fuçi baruti” është gati të shpërthejë në një tjetër kontinent. Kësaj here tensionet po ziejnë në Amerikën e Jugut, dhe në mënyrë të ngjashme me dy konfliktet e tjera aktive, shkak janë bërë ambiciet territoriale. Esequibo është një rajon prej 160,000 kilometrash katrorë i Amerikës së Jugut që ndodhet midis Venezuelës dhe Guajanës. Pothuajse të gjithë pajtohen se El Esequibo, një territor më i madh se Greqia dhe i pasur me naftë dhe minerale, i përket Guajanës, e cila e administron aktualisht, por presidenti venezuelian Nicolas Maduro e pretendon këtë tokë si të tijën. Problemi, tani, janë hartat. Për dekada, hartat dhe skicat e prodhuara nga Venezuela kanë përfaqësuar territorin sa tre të katërtat e Guajanës, si një pjesë integrale të Venezuelës. Është ajo që kanë argumentuar qeveritë në Karakas të të gjitha ideologjive.
Pretendimet e Venezuelës
Por nuk mbaron me kaq. Të ardhmen e territorit, Maduro synon të vendosë në një referendum, që pritet të mbahet nesër. Implikimet praktike dhe ligjore të votimit, i cili ndër të tjera kërkon që Essequibo të bëhet një shtet venezuelian, mbeten të paqarta, por referendumi ka shqetësuar banorët e zonës.Presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro ka investuar shumë në referendum, duke përdorur retorikë patriotike në përpjekje për të tërhequr votuesit në qendrat e votimit për t’iu përgjigjur pesë pyetjeve në lidhje me territorin, duke përfshirë nëse banorëve aktualë dhe të ardhshëm të territorit duhet t’u jepet shtetësia venezueliane. Guajana e sheh referendumin si një shpallje aneksimi dhe i kërkoi Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 14 nëntor që të ndalojë referendumin. Zyrtarët gujanez i shohin përpjekjet e Maduros si një kërcënim ekzistencial të paprecedentë. Venezuela e ka pretenduar gjithmonë Essequibo-n si të sajën, sepse rajoni ishte brenda kufijve të tij gjatë periudhës koloniale spanjolle, dhe ka kundërshtuar prej kohësh kufirin e përcaktuar nga arbitrat ndërkombëtarë në 1899, kur Guajana ishte ende një koloni britanike.
Nëntoka e pasur
Angazhimi i Venezuelës për të ndjekur pretendimet e saj territoriale ka ndryshuar gjatë viteve. Interesi u rindez në vitin 2015 kur ExxonMobil njoftoi se kishte gjetur naftë dhe gaz në sasi të mëdha në brigjet e Essequibo. Banka Botërore thotë se vitin e kaluar prodhimi i naftës në atë vend arriti në 278.000 fuçi në ditë. Kjo, logjikisht, i dha një shtysë të fortë vendit, i cili u bë ekonomia me rritjen më të shpejtë në botë. Dhe shifrat janë vërtet të pabesueshme. Në tre vitet e fundit, GDP-ja e Guajanës vlerësohet të jetë rritur me një normë prej 42.3 për qind në vit, dhe vetëm vitin e kaluar, PBB-ja reale u rrit me 63.4 për qind. Në vitin 2019, PBB për frymë në Guajana ishte vetëm 6,477 dollarë, ndërsa në vitin 2022 u rrit në 18,199 dollarë. Fondi Monetar Ndërkombëtar shkoi një hap më tej dhe vlerëson se në fund të vitit 2023 do të jetë deri në 61,099 dollarë për frymë, duke e bërë Guajanën vendin e 23-të më të pasur në botë të matur me PBB për frymë. Një ironi në të gjithë historinë është fakti që Venezuela ka rezervat më të mëdha të naftës në botë, por Maduro ika keqmenaxhuar resurset.
Rreziku për luftë
Ajo që e bën të gjithë situatën edhe më shqetësuese, dhe në një nivel shumë më të gjerë, janë thashethemet se Venezuela mund të dërgojë ushtrinë në Guajana, me fjalë të tjera, të nisë një luftë.Në fakt, Guajana ka vetëm 3,400 burra për mbrojtje, kryesisht policë, ndërsa Maduro mund të mobilizojë 123,000 ushtarë në 24 orë, falë furnizimeve të luftës nga Rusia, Kina dhe Irani. Një përshkallëzim ushtarak mund të përfshijë gjithashtu Brazilin, pavarësisht afiniteteve ideologjike midis Lulës dhe Maduros. Një pushtim i Esequibo-s në fakt do të përbënte një problem për Lulën, si dhe do të ishte një dështim i diplomacisë së tij të bazuar në relativizëm. Me pak fjalë, situata në këtë zonë është komplekse dhe mund të ketë pasoja të rëndësishme për stabilitetin e rajonit.