MENU
klinika

Mero Baze

Trajtimi special i Berishës nga drejtësia e re

05.12.2023 - 21:17

Ka një debat politik dhe një debat juridik, mbi mospërfilljen që Berisha po demonstron ndaj vendimit të Gjykatës për të mos respektuar masën e sigurisë detyrim paraqitje.

Debati politik I nxitur nga Berisha është se ai ka interpretimin e tij për vendimin dhe nuk e pranon, çka është një përpjekje për ta kthyer në betejë politike një vendim gjykate.

Debati juridik ka të bëj me faktin se a duhet Gjykatat të mbrojnë vendimet e tyre pasi dikush refuzon ti zbatoj ato.

Rasti I Sali Berishës, pasi janë konsumuar të gjitha afatet për zbatim vendimi, tregon se në Shqipëri po instalohen dy standarde të zbatimit të ligjit. Fjala vjen Ilir Beqaj ish Ministër Shëndetësie, I cili po hetohet për procedurat e një PPP, ka detyrim paraqitje të shkoj çdo të premte në Gjykatë. Dhe ai çdo të premte shkon në Gjykatë firmos dhe ikën. Rreth 20 gazetarë e presin tek dera dhe e pyesin se çfarë bëri ato 4 minuta që hyri brenda dhe ai ua shpjegon.

Për Sali Berishën as pyetje nuk bëjnë më, pasi u duket normale që ai nuk ka pse zbaton ligjin dhe vendimin e Gjykatës. Ja ka arritur ditës ti bind të gjithë, se ai nuk është si të tjerët dhe nuk mund të zbatoj ligje dhe vendime gjykatash që nuk i pëlqejnë.

Në orarin që ai duhet të ishte në gjykatë, ai ishte duke ndezur karriget e Kuvendit me Flamur Nokën, dhe duke dhënë intervista në Facebook-un e tij.

Këto dy shembuj tregojnë njëkohësisht dy standardet e përballjes me ligjin të dy zyrtarëve të lart, por nga ana tjetër dhe dy standardet që lejojnë drejtësia për masat e sigurisë që lëshon vet.

Natyrisht nuk kam ndërmend ti jap receta Gjykatës se si të mbroj vendimet e veta pasi për sot ka një Kod të Procedurës penale, që I përcakton fare qartë. Në rast refuzimi të kësaj mase, merret një masë më shtrënguese, që i bie të jetë arrest shtëpie, ose leje nga Kuvendi për ta shoqëruar me policë.

Problemi është se injorimi I këtyre procedurave për Sali Berishën, shoqëruar dhe me zbutjen e masës së sigurisë për dhëndrin e vet, që është I vetmi vendim që Gjykata nuk “noterizon” kërkesën e SPAK, krijon perceptimin e zbythjes së drejtësisë përballë Berishës.

Nuk është se kam ndonjë dëshirë që Berisha të shkoj doemos në burg apo dhëndëri I tij doemos në qeli. Nuk jam as partizan i atyre që thonë se Berisha i bën këto, që ta fusin në burg dhe të bëhet hero. Por berishët nuk mund të kenë trajtim special nga ligji.

Vendimi për detyrim paraqitje për Sali Berishën tani është kthyer në vendim për paraqitje sipas dëshirës, dhe në të vërtet ka bërë qesharake gjithë procedurën e SPAK dhe vendimin publik se ai është nën hetim .

Deri tani ky vendim ka shërbyer vetëm për të ndihmuar Berishën të premtoj revolucion, dhe për të djegur në Kuvend, herë karriget e rivalëve, e herë tavolinën e Lulzim Bashës.

Ah po! Edhe për të bërë Argitën Kryetare të partisë. Po këto do ti bënte dhe pa bërë sikur po e hetonin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN