MENU
klinika

Analiza nga "Deutsche Welle"

Tubacioni drejt Bullgarisë/ Serbia ‘e lirë’ nga gazi rus?

11.12.2023 - 15:02

Serbia përfundoi të dielën ndërlidhësin e një tubacioni në Bullgari, duke i lejuar vendit ballkanik të diversifikojë furnizimet e tij me gaz dhe të reduktojë varësinë e tij nga Rusia.

Në ceremoninë e hapjes së gazsjellësit morën pjesë presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe homologët e tij bullgarë dhe azerbajxhanë, Rumen Radev dhe Ilham Aliyev.

“Me këtë interkonektor ne po sigurojmë furnizime alternative me gaz, përveç gazit rus,” tha ministrja e energjisë e Serbisë, Dubravka Djedovic Handanovic.

Qasja në gaz nga Azerbajxhani
Tubacioni, i cili shkon nga qyteti bullgar i Novi Iskar në qytetin serb të Nishit, do t’i japë Beogradit akses në gazin nga Azerbajxhani dhe në terminalin LNG në portin grek të Aleksandropolis.

Më 15 nëntor, Serbia nënshkroi një marrëveshje me Azerbajxhanin për të blerë 400 milionë metra kub gaz natyror në vit nga viti 2024.

Kapaciteti i tubacionit prej 170 kilometrash (105 milje) në anën serbe është 1.8 miliardë metra kub në vit, që është 60% e kërkesës vjetore të vendit për gaz prej rreth 3 miliardë metra kub.

Bashkimi Evropian e mbështeti projektin me grante prej 49.6 milionë euro (53.4 milionë dollarë) dhe kredi prej 25 milionë euro. Vetë Serbia nuk është anëtare e BE-së, por ka negociuar për anëtarësim në bllok që nga viti 2014.

Mbështetja e Serbisë tek Rusia
Në dekadat e fundit, Serbia është mbështetur pothuajse ekskluzivisht tek Rusia për furnizimet e saj me gaz, duke ndërtuar tubacione vetëm për gazin rus dhe duke i shitur shumicën e aksioneve në kompaninë e saj shtetërore të naftës dhe gazit, NIS, gjigantit rus të energjisë Gazprom.

Vitin e kaluar, Beogradi nënshkroi një kontratë afatgjatë për të vazhduar importin e gazit rus, duke tërhequr një qortim nga Brukseli ndërsa BE-ja kërkon të reduktojë varësinë e saj energjetike nga Rusia.

Ndërsa Serbia, e cila aspiron të bashkohet me bllokun, ka dënuar pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia, ajo nuk i është bashkuar vendeve perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës.

/Përkthyer dhe përshtatur për Konica.al nga “Deutsche Welle

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Ndryshon harta energjitike e Evropës”

Si po i jep fund Serbia varësisë nga Rusia?


Pagesat për profesionistët e lirë

Afati i fundit për të rifreskuar llogarinë bankare

Kushtet që duhet të plotësohen

Pensionet familjare, kush përfiton?

Kostot e prodhimit të produkteve po rriten më ngadalë

Si pritet të jenë çmimet për festa?

Lehtësohen lejet e ndërtimit në fshat

Detaje nga projektligji i qeverisë për faljen e gjobave