MENU
klinika

Analiza

Ukraina, e varur nga “lëmosha” e SHBA-së

21.12.2023 - 19:28

Ngërçi në Kongresin Amerikan lidhur me ndihmën ushtarake për Ukrainën po fillon të ketë efekt. Një komandant i lartë i ushtrisë së Kievit konfirmoi për Reuters frikën më të keqe që tashmë i trembeshin.

“Ka një problem me municionet në të gjithë vijën e frontit”, pranon gjenerali Oleksandr Tarnavsky, i cili thotë se për shkak të pakësimit të mbështetjes nga aleatët, sasitë e armëve që disponojnë nuk janë të mjaftueshme dhe ne po i rishpërndajmë. Ne riplanifikojmë detyrat që i kishim vendosur vetes për t’i reduktuar ato.

“Tarnavsky është komandanti i grupit operacional të trupave “Tavria” që çliruan qytetin e Kherson dhe anën perëndimore të lumit Dnipro në nëntor 2022. Gjenerali thotë se është optimist për mundësinë që forcat ukrainase të arrijnë fitore të reja, por nënvizon rëndësinë e rolit të rezervave në garantimin e energjisë së re për organizimin e operacioneve luftarake.

Amerika “gjunjëzon” Ukrainën, reduktohen operacionet

“Në disa zona ne jemi tërhequr në pozicion mbrojtës, ndërsa në të tjera vazhdojmë veprimet sulmuese. Ne po përgatisim rezervat tona për veprime të mëtejshme në shkallë të gjerë”, pohon Tarnavsky, i cili, pa hyrë në detaje, raporton mungesë municionesh edhe për ushtrinë e Vladimir Putinit.

Deklaratat e gjeneralit vijnë në muajin e njëzet e dytë të konfliktit të shkaktuar nga agresioni rus dhe pas pranimit nga komandanti i ushtrisë ukrainase Valery Zaluzhny dhe presidenti Volodymyr Zelensky se kundërofensiva e nisur në fillim të verës nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara.

Vitin e kaluar Kievi arriti të rimarrë një terren, por në vitin 2023, edhe për shkak të furnizimit të ngadaltë të pajisjeve ushtarake që lejuan armikun të riorganizohej, lufta u shndërrua në një luftë të zvarritur.