MENU
klinika

Ylli Pata

Vetmia politike e Sali Berishës!

07.12.2023 - 21:33

Sali Berisha, pasi shpalli se do të ndryshojë ekuilibrat në PD-në e Lulzim Bashës mori me vete mjaft njerëz që natyrshëm kërkonin të promovoheshin. Mori edhe njerëz që me Lul Bashën kishin mllef të madh si Jozefina Topalli, apo edhe aspirante të reja si Evi Kokalari.

Por Sali Berisha nuk ka pasur asnjë ditë, asnjë muaj, asnjë vit, si gjatë qeverisjes së tij si kryeministër, si kur doli në opozitë, në krah të tij bashkëpunëtorët apo figurat kryesore të Partisë Demokratike historike. Shumë e konsiderojnë Sali Berishën lider historik të PD, por kur vjen puna për të bërë historinë e saj, ulin zërin përballë purgave politike që ngjajnë shumë me ato të Stalinit, vetëm se jemi në një kohë të re.

Në kohën kur PD erdhi në pushtet, pas 2005, ishin këto figura që i dhanë oksigjen Sali Berishës. Klubi Partizani është privatizuar nën hyqmin e Arben Imamit, por ky i fundit nuk e ka mbrojtur as dje e as sot. Edhe pse gjasat janë që të jetë dëshmitar në procesin përkatës. Neritan Ceka. Njeriu që u përplas dhe u nda me Sali Berishën që në dhjetorin e vitit 1991, kur nuk ishte dakord për të prishur qeverinë e koalicionit PS-PD, apo Bufi-Pashko.

Kur i ndjeri Bashkim Gazidede u riciklua në vitin 2006 si nëndrejtor i hipotekave, Neritan Ceka deklaroi : “Ju thaftë dora Arben Imamit që ka sigluar shkresën e emërimit të Bashkim Gazidedes”!.

Nuk kaloi shumë dhe Neritan Ceka pranoi të ishte një këshilltar apo asistent i kryeministrit Berisha për çështjet e kulturës. Karriera politike e një nga personave më të kulturuar të këtij vendi u mbyll si pjesë e stafit të Sali Berishës.

Ndërkaq, si Arben Imami, si Neritan Ceka, kishin qenë figura të fuqishme të mazhorancës në pushtet kundër Berishës. Ceka, ministër i Brendshëm, e Arben Imami, kryetar i komisionit të Hartimit të Kushtetutës, ministër i Drejtësisë, ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin e njeri i rëndësishëm i shumicës socialiste.

Përveç Cekës e Imamit, Berisha ka propozuar president Alfred Moisiun, Bamir Topin, kryeprokurore Ina Ramën, të cilën e mbrojti fort përpara Shkëlqim Hajdarit, që ishte propozim i një pjesë të mazhorancës dhe opozitës.

Berisha ka pasur kryeministër Aleksandër Meksin e ministra pafund: Genc Rulin, Rexhep Ukën, Agron Musarajn, Bashkim Koplikun, Alfred Sereqin, Safet Zhulalin etj. Disa nuk jetojnë, por të tjerë janë në jetë dhe aktivë.

As nuk iu ka kërkuar mendim, e as nuk i kanë dhënë. Pse kështu? Thjeshtë sepse ata nuk e konsiderojnë pushtetin e Sali Berishës si një mundësi për të ushtruar veprimtarinë e tyre politike. Kjo është e thjeshtë.

Megjithatë në një moment të vështirë që është sot Sali Berisha, një mesazh solidariteti, të paktën njerëzor mund t’i kishte ardhur nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë ndër vite. “Ja njohim hallin, shpresojmë të kalojë sa më lehtë”!

Deri tani nuk ja ka thënë askush. Sepse askush nuk do të identifikohet me Berishën, por pret të largohet për të treguar historinë e tyre që Doktori ja ka ndaluar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN