Qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë mendojnë se ekonomia nuk po shkon mirë. Në pyetësorin e përmuajshëm që Banka e Shqipërisë bën, treguesi i ndjesisë ekonomike që mat aftësinë e bizneseve për të kryer investime dhe konsumatorëve për të shpenzuar, ra me 1.6 pikë në nëntor.
Pavarësisht shifrave rekord të turistëve edhe jashtë sezonit veror, besimi i bizneseve në fushën e shërbimeve ku përfshihen supermarketet, baret e restorantet ra me 4.4 pikë. Kjo pasi sipërmarrjet në këtë sektor i frikësohen rënies së kërkesës për konsum, shoqëruar nga vështirësitë në gjetjen e punonjësve.
Për të tretin muaj me radhë, edhe bizneset në sektorin e tregtisë u shfaqën më pesimiste. Treguesi i besimit në ekonomi nga sipërmarrjet në këtë sektor ra me 1.7 pikë. Çmimet e larta që rrjedhimisht po sjellin më pak konsum, po ulin xhirot te bizneset në këtë sektor.
Të frikësuar nga një rrije e mëtejshme e çmimeve, me të ardhurat në vendnumëro edhe qytetarët janë shprehur më pesimistë në nëntor. Besimi i qytetarëve në ekonomi në nëntor ra me 0.7 pikë, duke regjistruar kështu nivelin më të ulët në një vit.
Rënia e kërkesave për eksport nga njëra anë dhe rritja e çmimeve të lëndëve të para uli me 0.6 pikë edhe besimin e bizneseve në sektorin e industrisë.
I vetmi sektor që beson se ekonomia po shkon mirë është ndërtimi. Besimi në nëntor në këtë fushë të ekonomisë regjistroi rritje me 4.4 pikë përqindje në nëntor, duke qëndruar rreth 20 pikë përqindje mbi mesataren historike.